Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Edi Rama reagon për krimin në Pogradec: Akuzën për autorin e ndryshoi Prokuroria, është e pakuptueshme por nuk ka lidhje me Policinë!

Shkruar nga Newsbomb
Edi Rama reagon për krimin në Pogradec: Akuzën për autorin e
Ilustrim: Edi Rama dhe momentet e fundit te Egli Progaj gjalle

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për krimin e rëndë që tronditi Pogradecin në fundjavë, ku 42 vjeçari Egli Proga dyshohet se u dhunua barbarisht deri në vdekje nga shtetasi Denis Meçe. Akuza janë hedhur ndaj Policisë dhe Urgjencës, e para se tentoi të fshehë ngjarjen, kurse e dyta nuk shkoi në kohë.

"Në fakt të gjitha provat tregojnë e dokumentuara, qoftë të operacionit policor e qoftë të sistemit elektronik të Urgjencës Kombëtare tregojnë, se Policia e arrestoi në kohë rekord autorin për “Vrasje me dashje” dhe Urgjenca iu përgjigj në 7 minuta thirrjes për ndihmë", shkruan Rama.

Ai i referohet dy sqarimeve publike të sotme, konkretisht të kryepolicit Muhamet Rrumbullaku dhe drejtorit të Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, të cilët deklaruan se të gjitha procedurat janë kryer konform ligjit.

"“Vrasja nga pakujdesia” e ngritur si akuzë nga Prokuroria, e cila tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës", vijon kryeministri.

Policia rezulton se ka çuar në Prokurorinë e Korçës dosjen në ngarkim të autorit të dyshuar Densi Meçe për veprën pneale "Vrasje me dashje", ndërsa në seancën e djeshme, prokurorja Vasjana Postol dhe gjyqtarja Luljeta Kole e rikualifikuan veprën penale në "Vrasje nga pakujdesia".

"[...] bashkohem me thirrjen e Policisë së Shtetit për të gjitha burimet e përgjegjshme të informimit, që t’i referohen dokumentave të operacionit të policisë si edhe të shërbimit të urgjencës, për të luftuar dizinformimin dhe keqinformimin e qëllimshëm të publikut", thotë Edi Rama.

Lexoni reagimin e plotë të kryeministrit Edi Rama për ngjarjen në Pogradec:

Sot Policia e Shtetit dhe Urgjenca Kombëtare dhanë publikisht provat që hedhin poshtë agresionin e neveritshëm ndaj tyre lidhur me ngjarjen tragjike të Pogradecit, ku policia u akuzua pa asnjë bazë sikur tentoi të fshihte ngjarjen, ndërsa urgjenca sikur u vonua tejmase në dhënien e ndihmës për viktimën. Në fakt të gjitha provat tregojnë e dokumentuara, qoftë të operacionit policor e qoftë të sistemit elektronik të Urgjencës Kombëtare tregojnë, se Policia e arrestoi në kohë rekord autorin për “Vrasje me dashje” dhe Urgjenca iu përgjigj në 7 minuta thirrjes për ndihmë!

“Vrasja nga pakujdesia” e ngritur si akuzë nga Prokuroria, e cila tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral.

Ky është edhe konkluzioni i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, e cila është angazhuar nga Ministria e Brendshme, menjëherë pas daljes së pretendimeve apo fabrikimeve mbi rrjedhën e ngjarjes, duke kryer kontrollin e të gjitha hapave të operacionit për kapjen e autorit të vrasjes.

Duke mos komentuar qëndrimin e organeve të drejtësisë, por duke mirëkuptuar plotësisht indinjatën e kujtdo që ndjehet i skandalizuar nga akuza e ngritur nga Prokuroria, bashkohem me thirrjen e Policisë së Shtetit për të gjitha burimet e përgjegjshme të informimit, që t’i referohen dokumentave të operacionit të policisë si edhe të shërbimit të urgjencës, për të luftuar dizinformimin dhe keqinformimin e qëllimshëm të publikut, duke luajtur me një vdekje tragjike për lloj-lloj motivesh të dobëta politike, mediatike apo edhe thjesht jonjerëzore.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese

op
ed