Qendra Kombëtare e Urgjencës ka reaguar pas akuzave të ngritura nga familjarët e Egli Progës, i cili mbeti i vrarë pasditen e së shtunës në Pogradec, se ambulanca ka mbërritur gjysëm ore me vonesë në vendngjarje.
Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skender Brataj ka hedhur poshtë pretendimet e familjarëve të viktimës, duke thënë se ambulanca ka shkuar në vendngjarje për 7 minuta dhe se e gjithë situata është menaxhuar me kod të kuq traumatik për vetëm 20 minuta.
Sipas tij, shërbimi i urgjencës është telefonuar në orën 19:11 dhe 19:18 ato kanë qenë në vendngjarje për t’i dhënë ndihmën e parë pacientit. Në orën 19:20, Brataj shprehet se Proga është nisur me autoambulancë drejt spitalit të qytetit të Pogradecit, duke mbërritur për 11 minuta, përkatësisht në orën 19:31.
Brataj vijon më tej duke thënë se gjatë rrugës ai është asistuar nga mjeku dhe infermieri i ambulancës me masazh dhe ventilim, ndërsa më pas është dorëzuar në spital.
Pas kësaj, punën e kanë vijuar mjekët e spitalit, të cilët nuk kanë mundur që ta shpëtojnë atë shprehet ai.
“Ambulanca ka arritur për 7 minuta në vendngjarje, është parë kriticiteti i pacientit dhe është vendosur në autoambulancë. Në orën 19:20 është dërguar drejt spitalit të qytetit të Pogradecit.
Rezulton në 11 minuta, nga ora 19:20 deri në 19:31 që ka mbërritur në spitalin e Pogradecit, pacienti është asistuar nga ekipi mjekësor, mjek dhe infermier që referojnë se kanë bërë masazh dhe ventilim të pacientit.
Gjë e cila ka vazhduar më tej edhe në ambientet e spitalit. Na rezulton që në total prej 20 minutash, i gjithë misioni nga kërkesa për ndihmë deri në përfundim të misionit të ekipit mjekësor.
Ndërsa koha nga ora 19:11 deri në ora 19:18 në mbërritje në vendngjarje për vetëm 7 minuta, ekipi ka shkuar nga spitali i Pogradecit, nga marrja e thirrjes deri në vendngjarje. Pra për 7 minuta ekipi ka qenë në vendngjarje dhe për 20 minuta total është bërë menaxhimi i situatës me kod të kuq traumatik”,- u shpreh kreu i shërbimit të Urgjencës, Skënder Brataj.
Ngjarja e rëndë u shënua pasditen e vonë të së shtunës, ku 42 vjeçari Egli Proga mbeti i vrarë pas një konflikti fizik me Denis Meçën.
Sipas asaj që raportuam më herët, Meçe është konfliktuar me Progën, pasi si gjobitës i ka kërkuar xhiron ditore të biznesit të tij, por një gjë e tillë nuk është pranuar nga ky i fundit.
Pas kësaj, ato janë zënë me grushte, por një goditje me grusht në pjesën e pasme të kokës ka rezultuar fatal për Progën.
Megjithatë, në dëshminë që publikuam më herët Meçe mohon që ai ta ketë goditur atë, pasi sipas tij ai është rrëzuar në tokë sapo ai ka ngritur dorën për ta qëlluar me shpullë.
Nga ana tjetër, familjarët e viktimës Egli Proga hodhën akuza drejt shërbimit të urgjencës për mbërritje me vonesë në vendngjarje dhe strukturave të policisë për tentim të fshehjes së kësaj ngjarjeje të rëndë.
