Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka dalë në një konferencë urgjente për mediat lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi Pogradecin pesë ditë më parë. Ai ka sqaruar se Policia ka reaguar menjëherë dhe dezinformimi ndaj punës së saj ka qenë i qëllimshëm.
Rrumbullaku mori në mbrojtje Komisariatin e Policisë Pogradec dhe garantoi se grupi hetimor ka reaguar që në momentet e para dhe veprimet janë të dokumentuara, ndaj është skandaloze mënyra sesi është aluduar të baltoset puna e efektivëve.
"Ka vijuar një dezinformim dhe keqinformim lidhur me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në Pogradec ku humbi jetën një 42-vjeçar. Jam i detyruar të informoj publikun se aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga shefi i Komisariatit të Pogradecit është i pabazë. Është skandaloz pasi nuk ka asnjë provë. Në asnjë moment dhe asnjë rrethanë nuk është tentuar të fshihet apo të minimizohet ngjarje e rëndë.
Është vlerësuar maksimalisht nga komisariati i Pogradecit. Është shkuar në vend ngjarje, janë sekuestruar kamerat e ambienteve përreth, janë shoqëruar disa persona, janë kryer veprimet e hetimeve. Si rezultat i veprimeve profesionale të kryera nga grupi hetimor, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes.
Është identifikuar autori dhe arrestuar tre të tjerë për moskallëzim krimi. Drejtoria e Policisë Korçë ka dhënë njoftimin e parë zyrtar, që për arsye të ndryshme u deformua dhe u mohua", është shprehur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Kryepolici ka paralajmëruar marrjen e masave ligjore ndaj atyre që kanë shpërndarë dezinfomim të qëllimshëm për rastin.
"Baltosja në këtë rast është jo thjeshtë e pabazuar por është e dënuar moralisht dhe ligjshmërisht. Dua tu bëj me dije se do të ndërmerren hapa ligjore për të bërë deri në fund transparencë mbi shkaqet e këtij dezinformomi. Ngjarjet janë të qarta si drita e diellit", ka thënë ai.