Kryeministri Edi Rama ka bërë sërish një postim në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”, përmes së cilit ka reaguar në lidhje me ndërtimin e resortit në Zvërnec, i cili është bërë edhe shkaktari kryesor i protestave të këtyre ditëve të fundit në Tiranë.
Rama ka sjellë rastin e ngjashëm të një resorti në Portugali, teksa shkruan: “Kur flitet për zhvillimin në zonat e mbrojtura, shumëkush e paraqet debatin si një zgjedhje të detyrueshme mes natyrës dhe ekonomisë. Por ka vende që tregojnë se realiteti mund të jetë krejt tjetër.”
Teksa më tej thotë se zona në të cilën një prppjekt i ngjashëm u ndërtua në Portugali, para se kjo të ndodhte ishte një zonë me zhvillim jo shumë të lartë, dhe më pas për shkak të investimit u krijuan mirëra vende pune si edhe të ardhura shumë të larta ndër të tjera.
“E pra, boll i kemi paguar haraç budallallëkut tonë 100 Vite! Shqipëria e rilindur turistike do hyjë me se s’bën në ligën e kampionëve të turizmit botëror dhe Europa e bota do të na vlerësojë përfundimisht si vend i bekuar jo i mallkuar”, ka shlruar më tej kryeministri.
Reagimi i plotë:
RIA FORMOSA DHE REVOLUCIONI PORTUGEZ I TURIZMIT
Kur flitet për zhvillimin në zonat e mbrojtura, shumëkush e paraqet debatin si një zgjedhje të detyrueshme mes natyrës dhe ekonomisë.
Por ka vende që tregojnë se realiteti mund të jetë krejt tjetër.
Ria Formosa, në jug të Portugalisë, është një nga lagunat më të rëndësishme të Europës. Një peizazh unik me flamingo, shpendë migratorë, ishuj ranorë, dunat bregdetare dhe një biodiversitet të jashtëzakonshëm.
Dhe pikërisht aty, në zemër të këtij peizazhi, Portugalia ndërtoi një nga historitë më të suksesshme të transformimit ekonomik në Europë.
Pak dekada më parë, Algarve ishte një rajon periferik, me ekonomi të mbështetur kryesisht tek bujqësia dhe peshkimi, me të ardhura të ulëta dhe emigracion të lartë. Në vend që të ndiqte modelin e turizmit masiv me vlerë të ulët, Portugalia bëri një zgjedhje strategjike: investoi tek turizmi luksoz dhe me vlerë të lartë.
Kështu lindën destinacione si Quinta do Lago dhe Vale do Lobo, të vendosura pranë një prej ekosistemeve më të rëndësishme të Europës.
Jo përkundër natyrës.
Falë natyrës.
Rezultati?
• Miliarda euro investime private.
• Mijëra vende pune direkte dhe indirekte.
• Rritje e ndjeshme e vlerës së pronave.
• Të ardhura shumë më të larta për çdo turist.
• Një sezon turistik që zgjat gjatë gjithë vitit.
• Transformimi i Algarve në një nga destinacionet më prestigjioze të Europës.
Dhe ndërkohë:
Flamingot janë ende aty.
Shpendët migratorë janë ende aty.
Laguna është ende aty.
Madje vetë biodiversiteti është bërë pjesë e produktit turistik. Vizitorët nuk shkojnë në Algarve pavarësisht Ria Formosa-s. Ata shkojnë edhe për shkak të saj.
Mësimi është i thjeshtë.
Pyetja nuk është nëse natyra dhe zhvillimi mund të bashkëjetojnë.
Pyetja është nëse kemi vizionin, dijen dhe vullnetin për t’i bërë ato të bashkëjetojnë.
Sepse pasuria nuk krijohet duke zgjedhur mes natyrës dhe zhvillimit.
Pasuria krijohet kur natyra bëhet pjesë e zhvillimit dhe zhvillimi bëhet aleat i natyrës.
Ria Formosa është prova se kjo nuk është teori.
Është një histori suksesi që mund të shihet me sy të lirë.
E PRA, BOLL I KEMI PAGUAR HARAÇ BUDALLALLËKUT TONË 100 VITE!
SHQIPËRIA E RILINDUR TURISTIKE DO HYJË ME SE S’BËN NË LIGËN E KAMPIONËVE TË TURIZMIT BOTËROR DHE EUROPA E BOTA DO TË NA VLERËSOJË PËRFUNDIMISHT SI VEND I BEKUAR JO I MALLKUAR
