Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Kulture & Art

Zemra prej muajsh i lëngoi për vdekjen e Editës së tij, kush ishte Rexhep Qosja, kritiku i madh i letërsisë shqiptare që mbylli sytë përgjithmonë

Shkruar nga Newsbomb
Zemra prej muajsh i lëngoi për vdekjen e Editës së tij, kush
Rexhep Qosja dhe vajza e tij

E enjte e trishtë kjo e këtij prilli! Lajmi se akademiku dhe një prej kritikëve më të ethshëm letrarë ka mbyllur sytë përgjithmonë mori “dhenë”.

Rexhep Qosja është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një boshllëk të madh në botën akademike dhe letrare shqiptare. Lajmi i zi u bë i ditur nga familja e tij, e cila konfirmoi se i kanë dhënë lamtumirën e fundit njeriut të tyre të zemrës, ashtu në qetësi, siç dhe e kishte lënë amanet vetë ai.

Zemra e Rexhep Qoses, e cila prej muajsh kishte lënguar nga dhimbja e thellë për humbjen e vajzës së tij të dashur, Edita Qosja-Rexhepi, u shua përfundimisht, si të mos mund të mbante më peshën e një dhimbje që vetëm një prind mund ta kuptojë. Pas largimit të saj nga jeta në korrik të vitit 2025, Qosja ishte bërë “shok” me një trishtim të pa masë, një dhimbje që e shoqëroi deri në frymën e fundit.

Sipas familjes, lamtumira e fundit i është dhënë në mënyrë të thjeshtë, pa ceremoni dhe pa organizime institucionale, por vetëm në praninë e familjarëve më të afërt dhe njerëzve të tij të zemrës.

“Me dëshirë të të ndjerit nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja dhe nuk do të ketë pjesëmarrje në organizime institucionale”, thuhet në njoftimin e familjes, i përcjellë përmes nipit të tij.

Rexhep Qosja lindi më 25 qershor 1936 dhe u formua si një nga figurat më të rëndësishme të jetës akadamike shqiptare. Ai ishte shkrimtar, kritik letrar, studiues i njohur, si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Gjatë jetës së tij, ai la pas mbi 50 vepra në fushën e letërsisë, kritikës dhe studimeve albanologjike. Me romanet, esetë dhe studimet e tij, ai ndikoi thellë në zhvillimin e mendimit letrar shqiptar dhe në mënyrën se si u kuptua identiteti kulturor shqiptar në kohët moderne.

Ndër romanet e tij më të njohura janë “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Një dashuri dhe shtatë faje”, “Nata është dita jonë” dhe “Bijtë e askujt”.

I njohur për stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe shpesh polemik, Qosja nuk hezitoi të hynte në debate të mëdha intelektuale për çështje të identitetit, historisë dhe kulturës shqiptare, duke u shndërruar në një nga zërat më të fuqishëm dhe më të diskutuar të kohës së tij.

Qose ishte dhe një mik i mirë me Ismail Kadarenë. Pa çka “përplasjeve” apo hatërmbetjet që ata kishin me njëri-tjetrin, herë pas here, për çështje dhe diskutime të ndryshme, ata kishin një “kimi” së bashku. Përmes shkrimeve, pas vdekjes së Kadaresë ai e ka kujtuar, madje ka dëshiruar që ta ngrinin edhe një dolli së bashku.

“Këtë vit, në muajin qershor, edhe unë do bëhem 90 vjeç. Është e pamundur të mos mendoj sa domethënëse dhe sa njerëzore do të kishte qenë po të ngrinim një dolli së bashku për këtë moshë të rrallë, për këto dy jetë të kaluara mes librave, polemikave, dashurisë për gjuhën dhe për kulturën shqiptare. Ndoshta kjo mbetet një peng i imi njerëzor, por jo një peng kulturor, qytetërues sepse dialogu ynë vazhdon nëpërmjet veprave tona”, shkruante Qose në një postim të bërë në janar të këtij viti.

Newsbomb.al u shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe të gjithë shqiptarëve Kosovë dhe Shqipëri për këtë humbje të madhe.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese