Hapësire reklamuese

Kulture & Art

Do të përjetësohet mes librash, biblioteka e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë merr emrin e të madhit Ismail Kadare

Shkruar nga Newsbomb
Do të përjetësohet mes librash, biblioteka e Fakultetit të
Ilustrim: Fakulteti i Historise dhe Filologjise, Ismail Kadare

Biblioteka e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë ka marrë emrin e të madhit Ismail Kadare, duke u bërë kështu një hapësirë e cila do të përfaqësojë kujtimin e shkrimtarit në mjediset e fakultetit.

Lajmi u bë i ditur ditën e djeshme, gjatë një ceremonie-homazh në dy vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit, e cila mbarti emrin: “Gjithkush Kadarenë e vet”.

Prezente ka qenë edhe Helena Kadare, e cila u shpreh: “Këto korridore janë vendi ku unë kam studiuar, ashtu sikurse Kadare. Gjithçka është shumë bukur, lum ata që do të vijnë në këtë bibliotekë kaq të pasur që do të mbajë emrin e Kadaresë që për fat të mirë, rinia e nderon”.

Ndërsa Dekani i Fakultetit Mark Marku tha: “Nuk mund të kishte një emër më të denjë për hapësirën ku studentët dhe pedagogët zhvillojnë dijen dhe zhvillojnë mendimin kritik. Ky emër do t’u kujtojë brezave të ardhshëm se dija dhe letërsia janë themelet më të forta të identitetit tonë kulturor”.

Po ashtu prezente qe edhe e bija e Kadaresë, Gresa e cila kujtoi me mall të atin: “Më pëlqen të mendoj se Ismaili bashkë me personazhet e tij, hera herës shëtis dhe endet në këtë bibliotekë, në raftet e saj, sikurse e mbaj mend të vërtitej ndër vite në bibliotekën e Rrugës së Dibrës apo në bibliotekën që frekuentonte në Paris”

Kolosi i letrave shqipe, mbylli sytë përgjithmonë mëngjesin e një korrikut të vitit 2024.

Zemra e tij pushoi së rrahuri në moshën 88-vjeçare duke lënë pas një dhimbje te të gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër, punojnë dhe të rriten me shkrimet dhe librat e tij.

Ismail Kadare lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.

Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.

Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 50 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë.

Përgjatë jetës së tij ai u vlerësua dhe nderua me dhjetëra çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princ i Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit, ai e ndante kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese