Djali i të madhit Kadri Roshi, Kliti ka rrëfyer momentet e fundit me babanë e tij i cili është ndarë nga jeta para afro dy dekadash, ngjarje për të cilën ai akuzon ish-drejtorin e spitalit të ushtarakut (Trauma).
Në një rrëfim të bërë së fundmi Kliti tha se shkak për vdekjen e babës së tij është bërë drejtori i spitalit që ka qenë asokohe. Sipas Klitit, Kadri Roshi pësoi dëmtim të rëndë të veshit të mesëm si pasojë e konsumimit të 24 flakon-streptomicinë që atij iu dha nga mjekët.
Rrëfimi i Kliti Roshit në “S’e luan topi”: Kadriu u operua (në Greqi). Jetoi gati tre vite pas operacionit. Ditët e fundit, do ta quaja me gojën plot, nëse ka këllqe personi, ai e di shumë mirë për kë po flas të vijë ai personi, ndaç këtu e ndaç aty tek ju. Atë e vrau, me gojën plot, një person i vetëm. Ai e di shumë mirë. Ka qenë drejt i Spitalit Ushtarak, ku Kadriu u shtrua dhe u përkujdesën për të nëpërmjet interesit, si nga presidenti i asaj kohe Alfred Moisiu, ashtu edhe nga kryeministri Nano.
Iu la porosi që do të ndjekësh hap pas hapi, me gishtin tregues drejt tij, pra që ke përgjegjësi direkte ti për atë. Në fund Kadri Roshi përfundon me dëmtim të rëndë të veshit të mesit, që i jepte humbje ekuilibri, si rezultat i 24 flakon-streptomicinë. Atëherë këtij personi që i ishte ngarkuar kjo gjë, çfarë bëre. Iu bë jashtëzakonisht mjekim i gabuar, vdekjeprurës mund ta them. 24 flakonë, a je në binarë apo jo. Kjo e vrau, në kuptimin fizik, ai nuk lëvizte dot. Ishte i vdekur, i mbaruar, edhe në tualet donte shoqërues, nuk kishte ekuilibër.
Kujtojmë se më 6 shkurt 2007 ndërroi jetë aktori i mirënjohur e kinematografisë dhe skenës shqiptare Kadri Roshi.
Roshi lindi më 4 janar 1924 në Ballsh të Mallakastrës në një familje me prejardhje nga Libohova. Aktori përjetoi një fëmijëri të trazuar, pasi humbi të ëmën teksa ishte dy vjeç, ndërsa babai i ndërroi jetë dhjetë vjet më vonë.
Karrierën prej aktori e nisi në moshën 21-vjeçare në Teatrin Popullor. Në vitin 1951 finalizoi rrugëtimin e tij kushtuar edukimit universitar, të përshkuar në Pragë. Me t’u kthyer në vendin e tij të origjinës, Roshi rimori ekzekutimin e roleve të para në logun e jetës artistike të vendit, Teatrin Kombëtar.
Aktori ka luajtur rreth 180 role në skenë dhe në kinematografi, duke lënë në kujtesën e teleshikuesve dhe spektatorëve një portret të pashlyeshëm që variojnë nga Ezopi te kujdestari i “Lulëkuqe mbi mure”, si edhe nga mbrojtësi i gjuhës shqipe në Rilindje deri te plaku Mere.
Për kontributin në artin e fjalës dhe interpretimit, Roshi u nderua me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik në vitin 1995. Ai mori Çmimin e Madh të Nderit në vitin 1997 dhe “Nderin e Kombit” në vitin 1999.
