Aktori i mirënjohur Birçe Hasko është ndarë nga jeta mëngjesin e së shtunës, në moshën 84-vjeçare, duke lënë pas një dhimbje të madhe te familjarët, miqtë, kolegët dhe publiku që e deshi dhe e duartrokiti për dekada me radhë.
Ndërkohë sot në orën 10:00 në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, u mbajtën homazhet në nder të tij.
Ndër personalitetet e artit që kanë marrë pjesë në homazhe ka qenë edhe Timo Flloko, i cili e konsideroi Birçe Haskon një “personalitet me integritet qytetar e njerëzor”, teksa shtoi se do ta kujtijë gjithmonë sinjë mik të paharruar.
“Humbje! Birçe Haskon e kisha mik, koleg. Ai ishte një personalitet me një integritet qytetar e njerëzor të pashembullt në dimensionin artistik ai ka vendin e vet në kinematografinë shqiptare ku krijoi një sërë karakteresh interesantë. Në vendin e tij, në karakterin që kishte rrallë do ta zëvendësojnë. Vlerat e tij janë edhe në drejtim të edukimit që i dha brezit të ri. Unë do ta kujtoj përherë si një mik të paharruar”, u shpreh Timo Flloko.
Po ashtu edhe regjisori Kiço Londo ka marrë pjesë më homazhe, ku është shprehur se arti shqiptar ka humbur një emblemë.
“Kam pasur fatin që ta kem pedagog në Akademinë e Arteve. Është një ikje e trishtueshme. Kemi humbur një emblemë të artit shqiptar, një aktor teatri, kinemaje, një pedagog sipëror i lëndës së mjeshtërisë së aktorit në Akademinë e Arteve. Ishte një njeri që më shumë sesa mjeshtërinë e aktorit teknikisht, na mësoi njerëzoren. Nuk predikonte, udhëhiqte me shembullin e tij. Ka bërë kaq shumë mirë, ka shpërndarë kaq shumë njerëzillëk sa jam i bindur që do të prehet në paqe dhe yjet e tjerë, sapo ta shohin, do ta përqafojnë fort”, tha Londo.
Kush ishte Birçe Hasko
I lindur në Dukat të Vlorës, më 15 mars 1942, Birçe Hasko ishte një nga figurat më të respektuara të skenës dhe ekranit shqiptar. Pas përfundimit të shkollës “Jani Minga” në Vlorë, ai punoi si mësues në Memaliaj, ku hodhi edhe hapat e parë në art përmes angazhimit me trupën e Estradës amatore të qytetit.
Në vitin 1965 nisi studimet për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve, sot Akademia e Arteve, ndërsa pas diplomimit mbeti pedagog pranë këtij institucioni, ku për shumë vite formoi breza të tërë artistësh duke dhënë lëndën e Mjeshtërisë së Aktorit. Në vitin 1995 ai mori titullin “Profesor”, duke u kthyer në një nga emrat më të vlerësuar të artit skenik shqiptar.
Kontributi i tij në teatër dhe kinematografi mbetet i jashtëzakonshëm. Në skenë interpretoi mbi 12 role, ndërsa një nga rolet më të spikatura ishte ai i Milos në komedinë “Shi në plazh” të Teodor Laços. Në ekranin e madh, Birçe Hasko skaliti me dhjetëra personazhe që mbetën gjatë në kujtesën e publikut shqiptar.
Roli i tij i parë në kinematografi ishte ai i Sulo Ballistit në filmin “Kur zbardhi një ditë” në vitin 1971. Më pas do të interpretonte në një sërë filmash të njohur, mes tyre roli i Mete Aliut në “Radiostacioni”, Syrjait në “Skëterrë 43”, mësuesit në “Gurët e shtëpisë sime”, si dhe shumë personazhe të tjerë që e kthyen në një nga ikonat e kinemasë shqiptare. Roli i tij i fundit ishte në filmin “Kronikë provinciale”.
Për kontributin e tij të çmuar në artin shqiptar, ai u nderua me titullin “Artist i Merituar” në vitin 1988, u dekorua me urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit të Dytë, ndërsa mbante edhe titullin “Mjeshtër i Madh”. Bashkia e Orikumit e kishte shpallur gjithashtu “Qytetar Nderi”.
