Në këtë ditë të 49-të të aksionit qytetar, këta të fundit mesa duket janë ndarë në dy kahe dhe kanë dalë në pah përplasjet brenda kësaj lëvizje e cila prej javësh kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ndërsa mesditën e kësaj të shtune një grup protestuesish u mblodh në atë që është quajtur “Kuvendi Kombëtar i Protestës”, me synimin për të diskutuar hapat e mëtejshëm të aksionit qytetar, një pjesë tjetër e protestuesve zgjodhi të dalë në shesh, duke refuzuar idenë se dikush mund të flasë në emër të tyre.
“Orë e morët vesh ju? Parti e re, parti e re, ta gëzoni partinë e re. Kuvendi i ri. Unë kam katër orë këtu duke thënë mirë se erdhe. Ta gëzoni partinë e re, nuk na përfaqësoni. Shihemi te sheshi”, dëgjohet të thotë një prej protestuesve në një video të regjistruar në ambientin ku po zhvillohej mbledhja e përfaqësuesve.
View this post on Instagram
E teksa vetëm disa orë para përfaqësuesit “kuvendonin” për strukturimin dhe lëvizjen e hapat e ardhshme, mbrëmjen e kësaj të shtune qytetarët kanë vijuar protestën në Bulevard duke bërë të qartë se nuk e njohin atë tryezë si zërin e tyre.
“Përfaqësuesit e protestës janë në shesh”, ishte mesazhi që përcollën disa prej protestuesve, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si është ndërtuar kjo strukturë dhe mbi përfaqësimin real të mijëra qytetarëve që kanë dalë prej 49 ditësh në rrugë.
Kuvendi Kombëtar i Protestës u prezantua si një hap i ri organizativ i lëvizjes së pagëzuar nga organizatorët si “Revolucioni i Flamingove”. Me një përfaqësi prej rreth 300 personash ditën e sotme, ai synon të shërbejë si një forum ku do të përcaktoheshin vendimet dhe strategjitë e aksionit qytetar.
Por që në nisje ideja e një strukture të re përfaqësimi hasi në kundërshtim. Për disa protestues, krijimi i një “kuvendi” rrezikon të krijojë një ndarje mes atyre që ndodhen në tryezat e diskutimit dhe qytetarëve që prej javësh qëndrojnë në shesh.
View this post on Instagram
Prej 31 majit mijëra qytetarë kanë vijuar protestat kundër kryeministrit Edi Rama, qeverisë së tij dhe klasës politike, duke kërkuar ndryshime dhe dorëheqjen e kreut të qeverisë. Por dita e 49-të e kësaj qëndrese solli edhe pyetjen e parë të madhe për lëvizjen: "kush e përfaqëson realisht protestën?".

