Hapësire reklamuese

Aktualitet

“Gabimi” që mund të fundosë autorët e atentatit në Sarandë, zbulohet edhe itinerari i arratisjes së tyre pas breshërisë së plumbave ndaj Thimjo Rubatit (DETAJE)

Shkruar nga Newsbomb
“Gabimi” që mund të fundosë autorët e atentatit
Pamje nga vendi ku dhe ndodhi atentati-Thimjo Rubati

Një motor i braktisur, i gjetur vetëm pak orë pas atentatit ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati në Sarandë, pritet të jetë një nga provat më të rëndësishme në duart e grupit hetimor dhe mund të shndërrohet në "gabimin" e autorëve që do t'i çojë autoritetet drejt identifikimit të tyre.

Pas të shtënave me breshëri plumbash ndaj Rubatit, i cili njihet edhe si një nga personazhet problematikë të zonës, autorët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke ndjekur një itinerar të mirëorganizuar. Sipas burimeve hetimore, ata lëvizën me motor në drejtim të lagjes "Baba Rexhepi", në periferi të Sarandës, zonë ku policia përqendroi menjëherë kontrollet.

Pikërisht gjatë këtyre kontrolleve, efektivët gjetën motorin e braktisur buzë detit, në një nga gjiret e zonës së njohur si "Kasollja". Mjeti nuk kishte shenja djegieje apo dëmtimi, çka konsiderohet një avantazh i rëndësishëm për hetuesit, pasi mbi të mund të ruhen gjurmë biologjike apo materiale të tjera që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.

Hetuesit dyshojnë se pasi braktisën motorin, autorët janë larguar me një mjet lundrues nga bregu ose kanë gjetur strehim në banesat e zonës periferike, duke shfrytëzuar afërsinë me vijën bregdetare për t'u zhdukur pa lënë gjurmë të dukshme.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se atentati ka qenë i planifikuar në detaje. Dy persona të maskuar me skafandra, të cilët lëviznin me motor, ndoqën 50-vjeçarin dhe hapën zjarr në drejtim të tij me të paktën nëntë të shtëna me pistoletë. Disa prej plumbave e goditën Rubatin, duke e lënë të plagosur rëndë. Fillimisht ai u transportua në Spitalin e Sarandës, ndërsa më pas u dërgua për trajtim më të specializuar në spitalin e Janinës.

Burime për mediat konfirmojnë se organizzatorët dyshohet se kanë shfrytëzuar qëllimisht një ngjarje të ndodhur një natë më parë, kur djali i Rubatit u konfliktua me një oficer policie, me synimin për të orientuar hetimet drejt një piste tjetër. Po ashtu, ka dyshime se autorët kishin dijeni se policia kishte sekuestruar DVR-në e kamerave të sigurisë në zonë një natë më parë, ndaj kanë zgjedhur të godasin në një segment të pambuluar nga kamerat.

Megjithatë, pavarësisht planifikimit të kujdesshëm, braktisja e motorit mund të rezultojë lëvizja që komprometon të gjithë skemën e tyre. Ekspertët pritet t'i nënshtrojnë mjetin një sërë ekspertizash për të siguruar gjurmë gishtash, materiale biologjike apo prova të tjera forenzike që mund të identifikojnë autorët ose personat që e kanë përdorur.

Ndërkohë, Rubati ka deklaruar se nuk ka mundur t'i identifikojë personat që e qëlluan. Ai është një emër i njohur për autoritetet shqiptare dhe greke, për shkak të precedentëve penalë të mëparshëm.

Aktualisht grupi hetimor po punon mbi dy pista kryesore, konfliktet për pronësinë dhe një konflikt personal për motive të tjera. Deri tani, pista e hakmarrjes apo larjes së hesapeve mbetet në plan të dytë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese