Pas afro një viti, është zbardhur ajo që mediat e huaja e cilësuan si një nga rastet më të pazakonta të kalimit të paligjshëm të kufirit mes Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara.
Sipas mediave të huaja dhe dokumenteve të publikuara nga autoritetet federale amerikane, shqiptari Romeo Bajrami, 40 vjeç, është vënë zyrtarisht nën akuzë për hyrje të paligjshme në territorin amerikan, pasi dyshohet se kaloi lumin St. Clair me një motor uji të tipit Sea-Doo, të cilin e kishte marrë me qira në Kanada.
Ajo që e bën edhe më të pazakontë këtë çështje është fakti se, sipas dosjes penale, Bajrami dyshohet se e transmetoi drejtpërdrejt në Facebook të gjithë udhëtimin drejt SHBA-së, ndërsa gjatë lundrimit këndonte me zë të lartë një këngë hip-hop. Sipas mediave të huaja, pamjet e publikuara në rrjetet sociale janë përfshirë nga hetuesit si pjesë e provave të çështjes.
Hetimet e autoriteteve amerikane dhe kanadeze tregojnë se 40-vjeçari kishte marrë me qira mjetin lundrues në qytetin Sarnia, në provincën Ontario të Kanadasë, por nuk e ktheu më atë në orarin e parashikuar.
Sipas raportimeve, pasi kompania njoftoi policinë për zhdukjen e Sea-Doo-së, autoritetet kanadeze nisën menjëherë hetimet, ndërsa në operacion u përfshinë edhe Roja Bregdetare Amerikane dhe Patrulla Kufitare e SHBA-së. Pak orë më vonë, mjeti lundrues u gjet i braktisur në brigjet e Port Huron, në shtetin e Miçiganit, ndërsa personi që e kishte marrë me qira nuk u gjet askund.
Gjatë verifikimeve, agjentët federalë zbuluan një video publike të transmetuar live në Facebook, ku sipas tyre shfaqet Bajrami duke kaluar lumin St. Clair me Sea-Doo. Sipas autoriteteve amerikane, të dhënat e vendndodhjes së videos përputhen me pikën ku ai dyshohet se hyri ilegalisht në territorin e Shteteve të Bashkuara.
Sipas mediave të huaja, pas gati një viti hetimesh, autoritetet arritën ta lokalizonin Bajramin në një burg në Boston, ku ai ndodhej i arrestuar për një çështje tjetër. Pas identifikimit të tij, prokurorët federalë ngritën edhe akuzën për hyrje të paligjshme në SHBA. Nëse shpallet fajtor, 40-vjeçari rrezikon një dënim deri në gjashtë muaj burg.
Si nisi e gjithë historia një vit më parë:
Rasti bëri jehonë në mediat kanadeze në gusht të vitit 2025, kur Policia e Sarnias njoftoi se një burrë nga Toronto ishte zhdukur pasi kishte marrë me qira një Sea-Doo në lumin St. Clair.
Sipas autoriteteve, ai kishte marrë mjetin lundrues me pagesë në para në dorë rreth orës 18:45 dhe duhej ta kthente një orë më vonë. Kur nuk u paraqit, kompania e qirasë e kontaktoi disa herë me telefon.
Fillimisht, burri kërkoi falje për vonesën dhe pretendoi se ndodhej vetëm pak minuta larg. Edhe në telefonatën e dytë dha të njëjtin shpjegim, por më pas nuk iu përgjigj më asnjë telefonate.
Pak orë më vonë, Roja Bregdetare Amerikane gjeti Sea-Doo-në të braktisur në brigjet e Miçiganit, në jug të qytetit Sarnia. Ekipet e emergjencës kontrolluan zonën në të dyja anët e kufirit, por nuk arritën të gjenin drejtuesin e mjetit.
Në atë kohë, Policia e Sarnias deklaroi se ekzistonte bindja se burri kishte arritur të kryente një kalim të paligjshëm të kufirit drejt SHBA-së, ndërsa autoritetet amerikane të doganës dhe emigracionit nisën hetimet, të cilat tashmë kanë çuar në ngritjen e akuzave ndaj shqiptarit Romeo Bajrami.
