Një 43 vjeçar nga Afganistani është arrestuar në Vlorë, pasi shërbimet e Policisë Kufitare kanë mundur të zbardhin ngjarjen e ndodhur dje pranë ishullit të Sazanit, ku rrezikuan të mbyteshin 11 emigrantë nga vendet e treta, të cilët lundronin me gomone.
Specialistët për Hetimin e Krimit në DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas hetimeve të shpejta dhe profesionale të kryera arrestuan në flagrancë për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve", shtetasin M. E., 43 vjeç, nga Afganistani, i cili ndodhej dhe vet në gomone.
Gjithashtu, u proceduan penalisht për veprën penale "Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror", 10 shtetasit e tjerë nga Bangladeshi, Pakistani, Liberia dhe Haiti, që u gjetën në bordin e gomones.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi M. E., në bashkëpunim me një shtetas shqiptar ende të paidentifikuar, kishte organizuar nga Greqia futjen në mënyrë të paligjshme në Shqipëri të këtyre shtetasve, nëpërmjet kufirit me shtetin grek.
Më pas, në Seman të Fierit, ai kishte marrë gomonen e lënë në dispozicion nga shtetasi shqiptar dhe do të transportonte drejt Italisë 10 emigrantët nga vendet e treta.
Strukturat hetimore të DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e shtetasit shqiptar të përfshirë, si dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë tentativë për kontrabandimin e emigrantëve nga vendet e treta drejt Italisë.
