Një shtetas egjiptian me banim në qytetin e Krujës është arrestuar nga agjentët për Hetimin e Trafiqeve, pasi që dyshohet se organizonte në vendin tonë, transportimin e emigrantëve (kryesisht egjiptianë) që synonin të kalonin ilegalisht kufijtë me destinacion një nga vendet e BE-së.
Për të shmangur kontrollet e Policisë ky shtetas i transportonte një e nga një shtetasit e huaj, kryesisht egjiptianë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan operacionin e koduar “Organizatori”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas të përfshirë në organizimin e transportimin kundrejt pagesave, të emigrantëve që synojnë të kalojnë kufijtë në kundërshtim me ligjin, në shtete të BE-së.
Ndërhyrja e shërbimeve të Policisë mundësoi arrestimin në flagrancë, në autostradë, në afërsi të Rinasit, të autorit të dyshuar, shtetasit egjiptian, A. H., 34 vjeç, banues në Krujë, teksa transportonte drejt Shkodrës, një shtetas egjiptian.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 34-vjeçari ishte organizator i dhënies ndihmë, shtetasve të huaj, kryesisht nga Egjipti, për kalim të kundërligjshëm të kufijve. Punohet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
