Hapësire reklamuese

Aktualitet

Policia e Vlorës tregon se si humbi jetën gazetari Enrik Mehmeti: Motori u përmbys në një zonë jorrugore, bashkë me të edhe një 18-vjeçar

Shkruar nga Newsbomb
Policia e Vlorës tregon se si humbi jetën gazetari Enrik Mehmeti:
Pamje nga aksidenti-Enrik Mehmeti

Policia e Vlorës ka reaguar lidhur me aksidentin tragjik ku humbi jetën gazetari Enrik Mehmeti. Përmes një njoftimi zyrtar, blutë bëjnë me dije se ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 21:40 të mbrëmjes së kësaj të shtune, në zonën e Dajlanit, në bregdetin e Vlorës.

Sipas të dhënave paraprake të Policisë, ishte gazetari ai i cili ishte duke drejtuar motomjetin me katër rrota, kur dyshohet se humbi kontrollin mbi drejtimin e tij. Për pasojë, mjeti u përmbys në një terren jorrugor, ndërsa Mehmeti pësoi dëmtime shumë të rënda të cilat rezultuan të ishin fatale.

Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe ekipi i urgjencës mjekësore. Gazetari u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t'i shpëtuar jetën, ai nuk arriti t'u mbijetojë plagëve të marra.

Në motomjet ndodhej edhe një pasagjer, një 18-vjeçar me inicialet K. S., i cili ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Nga verifikimet paraprake rezulton se ngjarja aksidentale ka ndodhur jashtë zonës rrugore, në një sipërfaqe bregdetare, dhe nuk ka përfshirë mjete të tjera apo përdorues të rrugës.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen të gjitha veprimet procedurale në vendngjarje për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të kësaj ngjarjeje aksidentale”, njofton Policia e Vlorës.

Njoftimi i plotë i Policisë së Vlorës:

Rreth orës 21:40, në zonën e Dajlanit, në Vlorë, në bregdet dhe jashtë zonës rrugore, ka ndodhur një ngjarje aksidentale me pasojë humbjen e jetës së shtetasit E. M., rreth 40 vjeç, banues në Vlorë (gazetar).

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, duke lëvizur me një motomjet me katër rrota, ai ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit, i cili është përmbysur. Si pasojë e përmbysjes, drejtuesi i motomjetit, shtetasi E. M., ka pësuar dëmtime të rënda trupore.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe autoambulanca. I dëmtuari është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal Vlorë, ku, pavarësisht ndihmës së dhënë nga personeli mjekësor, ka ndërruar jetë.

Në motomjet ndodhej si pasagjer shtetasi K. S., rreth 18 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime të lehta pa probleme për jetën.

Nga verifikimet paraprake rezulton se ngjarja aksidentale ka ndodhur jashtë zonës rrugore, në një sipërfaqe bregdetare, dhe nuk ka përfshirë mjete të tjera apo përdorues të rrugës.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen të gjitha veprimet procedurale në vendngjarje për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të kësaj ngjarjeje aksidentale.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese