Hapësire reklamuese

Aktualitet

Motori “mjeti vrasës” në Vlorë, si gazetari i ndjerë raportonte disa ditë më parë: Të rinjtë të tregojnë kujdes, pasojat janë tragjike (VIDEO)

Shkruar nga Newsbomb
Motori “mjeti vrasës” në Vlorë, si gazetari i
Enrik Mehmeti-e shkeputur nga video qe kishte postuar para disa ditesh

Një lajm i kobshëm erdhi mbrëmjen vonë të kësaj të shtune, ku një aksident i preu në mes jetën gazetarit Enrik Mehmeti. Në moshën 40-vjeçare, gazetari i News24, i cili prej vitesh raportonte zhvillimet dhe ngjarjet më të rëndësishme nga qarku i Vlorës, u nda nga jeta në mënyrën më tragjike, pikërisht në një aksident me motor me katër rrota, një mjet për të cilin vetëm pak ditë më parë kishte bërë thirrje publike për kujdes.

Sipas informacioneve të para, aksidenti ndodhi në zonën e Porto Novës, në Zvërnec. Mehmeti po lëvizte me një motor me katër rrota, kur dyshohet se humbi kontrollin e mjetit gjatë një manovre. Mjeti u rrokullis disa herë dhe gjatë aksidentit një pjesë metalike e goditi në kraharor, duke i shkaktuar plagë fatale. Edhe pse ndihma mbërriti në kohë, për gazetarin nuk ishte më e mundur të bëhej asgjë.

Ironia e kësaj tragjedie bëhet edhe më e dhimbshme, pasi vetëm pak ditë më parë Enrik Mehmeti kishte raportuar një tjetër aksident të rëndë me motor në Vlorë. Përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, ai kishte përcjellë një apel të fortë për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe veçanërisht për të rinjtë që përdorin motorët.

"Një ngjarje e rëndë është shënuar pak më parë, ku një motoçikletë është goditur nga një automjet, i cili më pas është përplasur edhe nga një tjetër mjet. Drejtuesi i motorit është dërguar me urgjencë në spital. Fatmirësisht, ndryshe nga disa raste të ditëve të fundit, ku kanë humbur jetën dy të rinj. Thirrja për të gjithë të rinjtë është të bëjnë kujdes me motorët, të mbajnë gjithmonë kaskën mbrojtëse, ndërsa edhe drejtuesit e automjeteve duhet të tregohen më të kujdesshëm. Ditët e fundit aksidentet me motorë kanë qenë të shumta dhe me pasoja tragjike", ishte mesazhi i tij.

Askush nuk mund ta imagjinonte se vetëm pak ditë pas këtij apeli, vetë gazetari do të bëhej viktimë e një aksidenti të ngjashëm.

Tragjedia bëhet edhe më e rëndë për familjen e tij. Vetëm së fundmi, Enrik Mehmeti kishte përjetuar një nga momentet më të bukura të jetës, pasi ishte bekuar për herë të dytë me ardhjen në jetë të një fëmije. Gëzimi i familjes për zgjerimin e saj u shndërrua brenda pak çastesh në një dhimbje të pamasë, duke lënë pas bashkëshorten, dy fëmijët dhe njerëzit më të dashur.

Për vite me radhë, Enrik Mehmeti ishte një prej gazetarëve më aktivë në jug të vendit, gjithmonë në vijën e parë të raportimit të ngjarjeve, me korrektësi, qetësi dhe profesionalizëm. Ai tregoi me besnikëri historitë e shumë njerëzve, ndërsa mbrëmjen e kësaj të shtune u bë vetë pjesë e lajmit më të rëndë, një lajm që askush nuk do të kishte dashur ta raportonte.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa komuniteti i gazetarëve dhe qytetarët e Vlorës po ndjejnë dhimbje sot për një njeri dhe koleg që la gjurmë në profesionin e tij dhe një boshllëk të madh te të gjithë ata që e njohën.

Redaksia e Newsbomb.al i shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të gazetarit Enrik Mehmeti!

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese