Bohdan Nahaylo, kryeredaktori i Kyiv Post, ka deklaruar se agresioni rus ndaj Ukrainës nuk është një konflikt i izoluar, por pjesë e një plani më të gjerë që synon të dobësojë Perëndimin dhe të minojë themelet e demokracisë perëndimore.
Sipas tij, Moska ka zgjedhur rrugën e luftës hibride, me qëllim kryesor destabilizimin e Bashkimit Evropian dhe bllokimin e rrugës drejt integrimit për vendet që aspirojnë të bëhen pjesë e këtij blloku.
Ai shpjegoi se Kremlini po përpiqet të përcjellë idenë se anëtarësimi në BE nuk sjell asnjë vlerë të shtuar për vendet kandidate.
Kryeredaktori i Kyiv Post theksoi se Bashkimi Evropian nuk duhet parë vetëm si një hapësirë zhvillimi ekonomik apo ngritjeje të nivelit të jetesës, por edhe si simbol i lirisë dhe i vlerave demokratike.
“Kjo është një formë tjetër e vazhdimit të luftës. Rusia synon të dobësojë Perëndimin dhe kundërshton vlerat demokratike që ai përfaqëson. Ambiciet e saj shtrihen edhe drejt Evropës Perëndimore. Në Ukrainë ne po përballemi me këtë agresion dhe luftë hibride jo thjesht për të treguar botës se ekzistojmë, por sepse në thelb të synimit ndaj Evropës qëndron përpjekja për ta çorganizuar Bashkimin Evropian dhe shoqëritë që aspirojnë t’i bashkohen atij. Qëllimi është të ulet dëshira për t’u bërë pjesë e BE-së, jo thjesht si projekt ekonomik apo për përmirësim të jetesës, por si identitet i një vendi që përqafon lirinë,” u shpreh Nahaylo.
