Donald Trump ka deklaruar se vendosi të ndalojë sulmet amerikane ndaj Iranit për t’i dhënë një mundësi tjetër diplomacisë, por paralajmëroi se mund të urdhërojë rifillimin e operacioneve ushtarake nëse negociatat dështojnë.
Në një intervistë për Axios, Trump u shpreh se SHBA-të janë duke zhvilluar bisedime intensive me Iranin, duke theksuar se nëse ato nuk japin rezultate, do të rikthehet te veprimet ushtarake.
“Jemi në bisedime shumë të thella me Iranin. Nëse ato nuk funksionojnë, do të kthehemi te veprimet shumë të forta ushtarake”, tha Trump në intervistë.
I pyetur nëse është i gatshëm t’i japë më shumë kohë diplomacisë, presidenti u përgjigj: “Nuk ka shumë kohë. Ose shkon shpejt ose aspak.”
Trump tha se vendosi të ndalojë sulmet të premten, pasi vendet që po ndërmjetësojnë në procesin e negociatave i kërkuan t’i jepte diplomacisë edhe një mundësi.
“Të gjithë njerëzit që merren me Iranin më pyetën: ‘Mos qëllo’”, tha Trump.
