Pesë alpinistë boshnjakë kanë ndërruar jetë në malin Elbrus të Rusisë, malin më të lartë në Evropë, pasi zona u përfshi nga një stuhi e dhunshme, por trupat e tre personave nuk janë evakuuar ende për shkak të motit të keq.
Ministria e Emergjencave e Rusisë ka thënë se ekipet e shpëtimit evakuuan trupat e dy alpinistëve, të cilët ndodheshin në mal në një lartësi prej 5,350 metrash, pasi më parë shpëtuan dy alpinistë të tjerë që u evakuuan nga mali dhe u dërguan për kujdes mjekësor.
Dega rajonale e Komitetit Hetues të Federatës Ruse tha se ekipet e shpëtimit kishin gjetur trupat e tre alpinistëve të tjerë, por se ata ende nuk janë evakuuar për shkak të motit të keq.
Edhe pse autoritetet ruse nuk e specifikuan kombësinë e tyre, agjencitë rajonale të zbatimit të ligjit i thanë RIA Novosti se alpinistët që vdiqën në Elbrus vinin nga Bosnja dhe Hercegovina. Mali Elbrus, 5,642 metra, është i famshëm për ndryshimet e papritura të motit dhe kushteve të ngjitjes.
Mediat boshnjake raportuan se shtatë anëtarët e ekspeditës ishin banorë të qytetit qendror të Zenicës dhe përfshinin një çift të martuar dhe një mjeke që punonte në spitalin lokal.
Mediat ruse raportuan se kushtet e këqija të motit, përfshirë erërat e forta, kishin komplikuar operacionet e kërkim-shpëtimit.
