
Policia e Shtetit bëri me dije sot emrat dhe fotot e të shumëkërkuarve Jani Alia dhe Artur Kuliçi, të cilët janë objekt i punës së Njësisë së Hetimit.
Por kush janë Jani Alia dhe Artur Kuliçi?
JANI ALIA- I dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së parë në Tiranë, për veprën penale "Vrasje me parëmendim", pasi vrau me thikë djalin e shtetasit Shyqo Ballazhiu, me origjinë nga Tepelena.
Në vitin 2000 Jani Alia vret me hikë E.Ballazhiun, në fshatin me emrin Zhabakin.
E. Ballazhiu, 20 vjeç, ishte shok fëmijërie me Elton Çiço. Ata ishin rritur bashkë në Tepelenë, ndërsa Çiço ishte interesuar shumë për të mësuar se kush ishte vrasësi i shokut të tij.
Në momentin që ka marrë vesh se kush ishte vrasësi i shokut të tij, Elton Çiço i ka dërguar fjalë në burg Alisë, duke i thënë se do merrtë hak për këtë vrasje.
Jani Alia, në atë kohë 23 vjeç, ishte arrestuar nga policia greke dhe mbahej në paraburgim.
Rreth 3 vite më vonë edhe Elton Çiço arrestohet nga policia greke, dhe burgoset në burgun e Koridhalos.
Ironia e fatit bën që në të njëjtin burg të jetë edhe Jani Alia, i dënuar me 18 vjet për vrasje, ndërsa Çiço u dënua me 5 vite për drogë.
Aty ndodhi edhe përplasja e parë fizike mes tyre, pasi Çiço plagosi me thikë Alinë, gjatë kohës që kishin dalë në ajrim.
Disa javë pas ngjarjes, Jani Alia del nga burgu me leje, pasi kishte kaluar 10 vite në qeli, por nuk kthehet më dhe shpallet në kërkim nga policia.
Pak kohë më pas del edhe Elton Çiço, pasi përfundon dënimin. Pas këtij momenti fillojnë edhe atentatet.

ELTON ÇIÇO
PËRPLASJET
Në 10 janar 2016 Elton Çiço tenton të ekzekutojë Alian në Tiranë, te rruga e Kavajës.
Çiço qëllon disa herë me armë zjarri në drejtim të tij, por nga plumbat plagoset vetëm një person i rastësishëm me inicialet A.Q.
Pas hetimeve të policisë u zbulua se objektivi kishte qenë Jani Alia, i cili ishte në makinë tip "BMË X6" me targë AA 727.., të cilën më pas e ka zhdukur, megjithëse ky mjet aktualisht është i bllokuar nga policia.
I vendosur për hakmarrje, Çiço organizoi edhe një atentat tjetër, këtë herë në Gjirokastër.
Në 25 prill 2016, Jani Alia po lëvizte me makinën e një mikut të tij, kur Çiço hapi zjarr ndaj tij.
Alia u plagos lehtë në dorë, por ia doli të mbijetonte edhe këtë herë.
Policia nuk mundi të provonte autorësinë e Elton Çiços, ndërsa vetë Jani Alia deklaroi se ishte vetëm një ngatërresë.
Prej këtij momenti Jani Alia zhvendoset në Tiranë dhe kërkon ndihmën e Renato Milloshit,me të cilin kishtemiqësi të hershme.
Vetëm 1 javë më vonë, më 1 maj 2016 në një lokal në Bllok ekzekutohet me 2 plumba Elton Çiço. Për ngjarjen policia shpalli si autorë Jani Aliajn dhe Renato Milloshin.
RENATO MILLOSHI
Pas vrasjes së Elton Çiços, miqtë e tij, mes tyre Andi Mustafaraj premtuan hakmarrje.
Vetëm 4 muaj pas vrasjes së Çiços, dhe pak kohë pas mesazhit të Mustafarajt, më 21 gusht të vitit 2016, rreth orës 15:35 në një lokal në afërsi të ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë iu bë atentat me armë Nelgert Patës, i cili njihet si mik dhe bashkëpunëtor i Jani Aliajt.
Për shkak të disa bimëve dekorative që kishte lokali, Nelgert Pata i shpëtoi fushëpamjes së atentatorit dhe mbeti i plagosur lehtë në vesh. Menjëherë pas ngjarjes Pata u largua në drejtim të paditur.
E njëjta skemë është ndjekur edhe në atentatin me armë ndaj Andi Mustafarajt me 28 tetor në një lokal në zonën e Ish-ekspozitës. Ai është mbajtur në vëzhgim derisa ka zbritur nga makina dhe është ulur në kafe, ku u qëllua 3 herë me armë duke mbetur i plagosur.
ANDI MUSTAFARAJ
Vrasja e tretë është ajo e 34-vjeçarit Nelgert Pata, mik i Jani Aliajt dhe rival i grupit të Elton Çiços. Pata u ekzekutua në makinën e tij dhe u gjet vetëm pak minuta më vonë nga policia. Po ashtu në periferi të Fierit policia gjeti një makinë të djegur që dyshohet se ishte e autorëve.
ARTUR KULIÇI- I dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale "Vrasje me paramendim" të balerinës Sonila Tafa, në një lokal nate në Tiranë.
Në datën 5 prill të vitit 2013, në një lokal nate në Tiranë, Artur Kuliçi, gjatë një përleshje me persona të tjerë, godet me armë zjarri dhe vret balerinën Sonila Tafa.
Sipas Prokurorisë, në orën 02:00, i pandehuri Artur Kuliçi dyshohet të ketë shtyrë dhe fyer një nga vajzat që ishin në tavolinën ngjitur më të tijën, për shkak se ajo e kishte prekur pa dashje me bërryl.
Kjo sjellje ka shkaktuar reagimin e dy djemve me të cilët ndodhej vajza në tavolinë. Ata janë sharë dhe goditur me Kuliçin dhe është nevojitur ndërhyrja e truprojave të lokalit për qetësimin e situatës.
Ndonëse janë ndarë nga punonjësit e sigurisë, pjesëtarët e dy tavolinave janë përplasur dhe një herë në parkingun e diskotekës. Disa minuta më vonë, duke pretenduar se Kuliçi ishte larguar, truprojat kanë përcjellë palën tjetër deri tek automjeti i tyre.
Sipas Prokurorisë, nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë ka rezultuar se i pandehuri ka ndaluar me një mjet “BMË” të zi me targa të huaja përballë hyrjes kryesore të lokalit, ku në vendin e parë të pasagjerit ndodhej shtetasja G. H.
“Nga dritarja e shoferit ai ka shtënë rreth 5-6 herë në drejtim të derës së lokalit, ku ndërkohë dilnin vazhdimisht klientë dhe në një distancë fare të afërt në shpinë të tij ka qenë dhe një fëmijë, i cili brenda oborrit po shiste paketa cigaresh. Si rezultat i këtyre qitjeve të regjistruara, në orën 02:43, orë në të cilën sapo kishin dalë jashtë një çift i panjohur, ka mbetur e vrare shtetasja Sonila Tafa. Po ashtu, është plagosur në këmbë shtetasja R.K. dhe janë rrezikuar seriozisht për jetën e gjithë pjesa e klientëve të cilët kanë qenë pas saj”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.
SONILA TAFA
