Makina e tij Mercedes Benz S Class 500 sapo ka mbërritur në "Rrugën e Salës". Në fakt, rruga zyrtarisht mban emrin e Heroit të Popullit Mustafa Matohiti, por quhet "Rruga e Salës" për shkak se aty ka apartamentin ish-kryeministri Berisha.
Pas rreth një viti në arrest shtëpie, lideri demokrat po përgatitet të dalë nga apartamenti dhe t'i drejtohet selisë blu për t'u takuar nga afër me bashkëpunëtorët e tij politikë dhe militantët e zjarrtë të Partisë Demokratike.
Sali Berisha pritet të dalë nga momenti në moment nga shtëpia, sepse siç thanë avokatët, rrëzimi i masës së sigurisë për të është i zbatueshëm menjëherë. Siç shihet dhe nga këto pamje, makina e tij Mercedes Benz S Class 500 sapo është parkuar në rrugicën përpara pallatit.
Ish-kryeministri Sali Berisha është nga sot i lirë. Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e avokatëve të tij për rrëzimin e masës së sigurisë "Arrest në shtëpi", gati 11 muaj pasi u vendos izolimi në ambientet e apartamentit të rruga "Mustafa Matohiti".
Lideri demokrat ndodhej në "Arrest në shtëpi" prej 30 Dhjetorit 2023, kur Gjykata e Posaçme vendosi t'i kufizonte Sali Berishës lirinë, në kushtet kur ai nuk pranoi të paraqitej vullnetarisht përpara togave të zeza.