Tirana zyrtare mirëpriti këtë të hënë, për herë të parë, zëvendëskryeministrin e Rajonit të Kurdistanit të Irakut, Qubad Talabani, i cili u shoqërua nga delegacioni i tij.
Ishte kreu i qeverisë, Edi Rama ai që i mirëpriti në “shtëpinë e tij”, ndërsa biseduan për marrëdhëniet mes vendeve dhe bashkëpunimin e ngushtë mes tyre.
Por, një gjë që tërhoqi jo pak vëmendje kanë qenë atletet! E teksa kreun tonë të qeverisë e kemi parë shpesh me atlete në vizitat e tij zyrtare, për shkak të stilit të tij në veshje, zëvendëskryeministrin e Rajonit të Kurdistanit jo.
Epo, kryeministri Rama, përpos mikpritjes, u ka "veshur" atyre edhe atlete. Jo vetëm Talabanit, por edhe të gjithë delegacionit që e shoqëronte, duke i bërë pjesë të stilit të tij karakteristik.
Sakaq kujtojmë se Rama dhe Talabani u takuan dhe në prill të këtij viti, ku asokohe ky i fundit u dhuroi dhe një dhuratë simbolike kryeministrit shqiptar. Si një simbol mirënjohje dhe traditës së tij diplomatike, zëvendëskryeministri i Rajonit të Kurdistanit u dhuroi Ramës një shall të personalizuar, një dhuratë që sipas praktikës së tij u jepet figurave të rëndësishme ndërkombëtare si shenjë respekti dhe vlerësimi.
