Artur Meçollari, ish-komandant i Marinës shqiptare, ka folur në emisionin “Review” në Euronews Albania lidhur me Samitin e NATO-s që do të mbahet më 7-8 korrik në Ankara, duke theksuar rolin e Shqipërisë dhe sfidat që priten të diskutohen.
“Na pret një samit ku edhe Shqipëria ka një rol të rëndësishëm. Përfaqësimi i Shqipërisë është një përfaqësim normë si çdo samit tjetër. Samiti ka disa karakteristika që e veçojnë, karakteristika më e rëndësishme është prezenca e presidentit Trump, i cili ka dominuar këto kohë samitin e vjetshëm apo dhe sivjetshëm, apo dhe kur ishte herën e parë, ka krijuar goxha lëvizje brenda NATO-s,” tha Meçollari.
Ai shtoi se një nga temat kryesore është NATO 3.0, ku vendet evropiane pritet të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen dhe arkitekturën e buxheteve. Një tjetër element është Ukraina dhe Rusia, ku pritet një ndihmë e madhe financiare për Kievin, megjithatë problematikat do të lidhen kryesisht me buxhetin.
Meçollari rikujtoi se në fillim të luftës, vendet evropiane nuk iu përgjigjën kërkesës së presidentit Trump për të ndihmuar në Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se presidenti Trump do të fokusohet ose do të japë mesazhe në këto dy elementë, në atë që ai pati në momentin e sulmit ndaj Iranit ose kërkesës së vendeve evropiane më pas për të ndihmuar, si dhe në çështjen e buxhetit.
Sa i përket Shqipërisë, Meçollari theksoi se vendi nuk ka përmbushur objektivin e NATO-s për buxhetin e mbrojtjes në nivelin 2%.
“Buxheti i mbrojtjes parashikohet të bëhet në këtë mënyrë, në fillim të vitit planifikohet buxheti dhe në fund të vitit bëhet llogaritja cili është buxheti real. Neve në fillim të vitit të dy vjetëve të fundit e kemi llogaritur 2%, por në fund të vitit nuk ka qenë 2%, ka qenë më pak. Buxheti jonë në vitin 2025, i shpenzuar ka qenë 1.75% sepse 75 milionë euro nuk janë shpenzuar, janë kthyer mbrapa në Ministrinë e Financave. Kjo do të thotë që ne nuk kemi arritur objektivin e NATO-s për 2%-shin, ndonëse kemi planifikuar 2.01% në fillim të vitit dhe në fund të vitit ka qenë 1.75%,” u shpreh Meçollari.
