Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë në Serbi, Aleksandar Radovanoviq, ka publikuar disa fotografi ku shihen postera të ngjitur para një furre buke që i përket një shqiptari në Krushevc.
Në to shkruhej në gjuhën serbe:
“Mos e harro Gazimestanin. Mos bli te shqiptarët”.
Radovanoviq reagoi përmes një postimi në X, duke kërkuar që autori i këtij veprimi të mbajë përgjegjësi ligjore.
“Posteri që u ngjit sot në Krushevc, para furrës së bukës që e mban një shqiptar. Të dënohet publikisht dhe të ndalohet, ndërsa ai që e ka menduar dhe organizuar këtë duhet të mbahet përgjegjës, në përputhje me ligjin, për nxitjen e urrejtjes kombëtare,” shkroi ai.
Reagimi i tij u shpërnda edhe nga themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, e cila ftoi studentët që po protestojnë prej muajsh të tregojnë solidaritet.
“Mblidhuni para furrës së bukës në Krushevc, tregoni solidaritet dhe se jeni kundër të gjitha veprimeve etno-nacionaliste,” theksoi Kandiq.
Ngjarja vjen pas tensioneve të fundit të lidhura me kremtimin e Vidovdanit më 28 qershor në, ku Policia e Kosovës ndaloi 37 persona nga Serbia, ndërsa Gjykata në Prishtinë akuzon 36 prej tyre për thirrje provokuese me elemente nxitjeje të përçarjes.
