Një ditë pas shkatërrimit të ambienteve të pritjes në Komisariatin nr. 3 në Tiranë, organizatorët e protestës kanë hedhur akuza se personat që kryen këtë akt kanë qenë të infiltruar.
Aktivisti Arben Kola ka deklaruar se personat që sulmuan komisariatin nuk janë pjesë e grupit nismëtar të protestës, por se bëhet fjalë për elementë të sponsorizuar nga qeveria.
Sipas aktivistit, diçka e tillë bëhet për të njollosur protestën që po zhvillohet prej 36 ditësh në Tiranë.
“E deklarojmë se protesta deri në fund do të jetë paqësore, pavarësisht investimit të qeverisë apo segmenteve pranë saj që nxisin dhunën. Mbrëmë e thamë qartë se protesta kishte përfunduar dhe kush qëndroi më pas nuk ishte pjesë e organizimit tonë. Ata që ushtruan dhunë janë elementë të sponsorizuar nga qeveria. Sado të përpiqet kjo qeveri ta njollosë protestën, nuk do t’ia dalë. Asnjë prej personave që ushtroi dhunë nuk është pjesë e grupit nismëtar të protestës”, u shpreh Kola.
Ndërkaq, vlen të theksohet se deri në këto momente, policia ende nuk i ka identifikuar autorët e këtij sulmi.
