Pasi Gjykata e Tiranës vendosi masat e sigurisë, 19 protestuesit kanë lënë qelitë e paraburgimit pasditen e kësaj të diele.
Pas lirimit, ata janë pritur nga protestues të tjerë, me të cilët kanë marrë pjesë në tubimet e zhvilluara prej më shumë se një muaji.
Pasi kanë dalë nga komisariati, ata janë pritur me ovacione dhe me thirrjet: “Rama n’burg, Berisha n’burg”, ndërsa nuk munguan përqafimet dhe puthjet me familjarët e miqtë.
Kujtojmë se sot, Gjykata e Tiranës la në burg dy të arrestuar, ndërsa për pjesën tjetër caktoi masat e sigurisë "detyrim paraqitjeje" dhe "arrest në shtëpi".
Sipas vendimit të Gjykatës, 14 persona u lanë me masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje", dy të tjerë me masën "arrest në shtëpi", ndërsa për pesë protestues nuk u caktua asnjë masë sigurie.
Bëhet me dije se në qeli janë lënë të rinjtë Ervin Gega dhe Everest Bardhi, të cilët akuzohen nga Prokuroria se kanë goditur dhe dëmtuar një makinë policie.

