Hapësire reklamuese

Aktualitet

Dhuna, tensionet dhe përplasjet, analisti thirrje protestuesve: Nuk rrëzohet një establishment duke u bërë kopja e tij

Shkruar nga Newsbomb
Dhuna, tensionet dhe përplasjet, analisti thirrje protestuesve: Nuk
Ilustrim: Analisti Roland Lami dhe arkmori i përdorur dje në protestë

Analisti Roland Lami ka komentuar zhvillimet e fundit që lidhen me protestën kombëtare, e cila tashmë ka hyrë në muajin e dytë.

Në një postim në Facebook, Lami shkruan se për herë të parë në protestë mori pjesë edhe një segment shoqëror që, sipas tij, politika tradicionale nuk ka arritur ta përfaqësojë, duke iu referuar shtresës së mesme të shoqërisë.

Sipas analistit, fuqia e protestës nuk qëndron te organizatorët, por te njerëzit që dalin në shesh, të cilët, sipas tij, janë të vështirë për t'u manipuluar.

Më tej, ai ka kritikuar edhe aktet e dhunës që kanë ndodhur gjatë protestave të fundit, duke theksuar se nuk rrëzohet një establishment duke u bërë kopja e tij.

 “Në fund, Revolucioni Flamingo nuk do të fitojë nëse bëhet protesta më e zhurmshme. Do të fitojë vetëm nëse mbetet protesta më e ndryshme. Sepse establishmentet nuk shemben kur dikush bërtet më fort se ato. Shemben kur përballen me diçka që nuk dinë ta blejnë, ta frikësojnë, ta delegjitimojnë apo ta kopjojnë. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse nuk rrëzohet një establishment duke u bërë kopja e tij”, thekson ai.

Postimi i plotë:

Nuk rrëzohet një establishment duke u bërë kopja e tij.

Gabimi më i madh që mund të bëjë Revolucioni Flamingo është të harrojë se forca e tij nuk qëndron te organizatorët, por te tipologjia e njerëzve që kanë mbushur sheshin. Për herë të parë pas shumë vitesh, një protestë ka tërhequr një segment shoqëror që politika tradicionale nuk ka arritur ta përfaqësojë: qytetarë urbanë, të arsimuar, pjesë e shtresës së mesme, profesionistë, të rinj, njerëz që nuk varen nga një vend pune në administratë, nga një tender, nga një patronazhist apo nga një premtim elektoral. Ata nuk kanë dalë në shesh për të ndryshuar pronarin e sistemit, por vetë mënyrën se si funksionon sistemi.

Pikërisht ky është kapitali real i kësaj proteste. Ky kontingjent nuk manipulohet lehtë, nuk intimidohet lehtë dhe nuk qëndron në shesh nga adrenalina e momentit. Ai gjykon, krahason dhe largohet sapo kupton se po i serviret një kopje e asaj që ka refuzuar. Prandaj suksesi i protestës nuk varet nga sa shumë njerëz mblidhen një mbrëmje, por nga aftësia për ta zgjeruar këtë bazë shoqërore. Dhe kjo arrihet vetëm duke i qëndruar besnik ADN-së së saj.

Kjo do të thotë se protesta duhet të jetë po aq e ndryshme sa janë të ndryshëm njerëzit që e kanë sjellë në jetë. Pak kërkesa, por të menduara mirë. Pak mesazhe, por të përsëritura deri sa të bëhen kauzë publike. Më shumë argument sesa slogan. Më shumë njerëz të mendimit sesa militantë të mikrofonit.Më shumë solidaritet sesa heroizëm artificial. Dhe mbi të gjitha, sa më larg kulturës politike të establishmentit. Sepse nuk mund të predikosh politikë të re me gjuhën, zakonet dhe ritualet e politikës së vjetër.

Fatkeqësisht, shenjat e para tregojnë se disa kanë zgjedhur rrugën e kundërt. Në vend që protesta të pasqyrojë profilin e njerëzve që janë në shesh, po tentohet të përshtatet me logjikën e atyre që kontrollojnë mikrofonin. Në vend që të shumëfishohen zërat, po centralizohet përfaqësimi. Në vend që të fitojë kauza, po promovohen figura. Në vend që të ndërtohet një alternativë, po ndërtohen protagonistë. Kjo nuk është mënyra si rritet një lëvizje qytetare; kjo është mënyra si ndërtohet një karrierë politike e disa individëve.

Kur mungojnë idetë, alternativa dhe aftësia për të udhëhequr me argument, tundimi është gjithmonë i njëjtë: kompensimi me tension, me retorikë përjashtuese dhe, në fund, me dhunë. Është rruga më e shkurtër për të marrë disa minuta më shumë në televizion dhe disa mijëra klikime në rrjetet sociale. Por është edhe rruga më e sigurt për të humbur pikërisht njerëzit që e bënë të mundur këtë protestë. Sepse ky kontingjent nuk ka dalë në shesh për të parë një version më të zhurmshëm të politikës së vjetër.

Paradoksi është brutal. Sa më shumë protesta i ngjan protestave që Shqipëria ka parë në tridhjetë e pesë vitet e fundit, aq më shumë i shërben establishmentit. Sepse ai di ta menaxhojë dhunën. Di ta administrojë polarizimin. Di ta përdorë retorikën "ne kundër atyre". Di ta personalizojë konfliktin. Janë armët e tij, jo të protestës. Të luftosh establishmentin me armët e establishmentit është si të sfidosh një kampion shahu duke luajtur sipas rregullave që ai ka shpikur.

Në fund, Revolucioni Flamingo nuk do të fitojë nëse bëhet protesta më e zhurmshme. Do të fitojë vetëm nëse mbetet protesta më e ndryshme. Sepse establishmentet nuk shemben kur dikush bërtet më fort se ato. Shemben kur përballen me diçka që nuk dinë ta blejnë, ta frikësojnë, ta delegjitimojnë apo ta kopjojnë. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse nuk rrëzohet një establishment duke u bërë kopja e tij.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese