Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Nuk mjafton lëmshi i shtetit me mbetjet toksike, mediat ngatërrojnë 115 kontejnerët e Kinës me ata që Tajlanda po kthen në Shqipëri

Shkruar nga Newsbomb
Nuk mjafton lëmshi i shtetit me mbetjet toksike, mediat
Porti i Durresit, ne Shqiperi

Institucionet, opinioni publik dhe mediat në Shqipëri e veçanërisht ato në Europë që dhanë alarmin të parat për trafikimin e mbetjeve të rrezikshme nga Porti i Durrësit, po njihen ditë pas dite me të tjera detaje nga një skandal që vetëm thellohet.

Newsbomb.al raportoi ekskluzivisht një javë më parë, për një sasi prej 800 tonësh mbetje të rrezikshme që kishte dalë në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria dhe ishte nisur drejt Afrikës së jugut. Dy anije të kompanisë së transportit “MAERSK” fikën GPS pasi alarmi u dha në gjithë botën.

Ishin 100 kontejnerë me pluhur toksik që grumbullohet nga filtrat e furrave të çelikut, të cilat janë dërguar në mënyrë të paligjshme drejt Tajlandës dhe alarmi u dha vetëm kur dy anijet kishin nisur rrugën. Pas ditësh kërkime, dy anijet u lokalizuan dhe ngarkesat po kthehen mbrapsht.

Por, pas raportimit tonë të parë, një skandal i ri ka dalë në dritë. Rezulton se muaj më parë një ngarkesë edhe më e madhe me pluhur kimik është dërguar drejt Kinës.

Në Mars të këtij viti, nga Porti i Durrësit u nisën drejt Kinës 115 kontejnerë me mbetje toksike. Ngarkesa e cila ishte deklaruar si koncentrat dhe mineral zinku është bllokuar nga autoritetet kineze dhe aktualisht 115 kontejnerët mbahen të bllokuar në Portin e Nanshas në Guangzhu të Kinës.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave doli me një reagim të menjëhershëm për të dy rastet, së pari për Tajlandën, duke bashkëpunuar me agjentët e vendeve partnere në lokalizimin dhe kontrollin e saj për të parë a kishte mbetje të rrezikshme, dhe së dyti për rastin e Kinës.

Nëse për rastin e parë 100 kontejnerë me pluhur toksik po kthehen nga Tajlanda dhe do të verifikohen në Durrës ose portet e tjera europiane për të parë përmbajtjen e vërtetë, për Kinën situata është krejt e ndryshme.

Ngarkesa nuk është eksport nga Shqipëria por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova. Pra, sipas autoriteteve bëhet fjalë për koncentrat zinku me origjinë nga Kosova me firmë dërguese/eksportuese Apelbaum shpk me adresë Rr. Fehmi Agani, Prishtinë/Kosovë; Firma pritëse/importuese është ACHRO AG me bazë në Steinhausen Sëitzerland.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave sqaroi se ngarkesa e bllokuar në Kinë nuk është produkt me origjinë nga Republika e Shqipërisë; nuk është eksport nga Shqipëria por një tranzit ndërkombëtar ndërmjet një firme nga Kosova dhe një firme zvicerane pa përfshirjen e asnjë firme nga Shqipëria.

Rrjedhimisht, këto mbetje nuk kanë lidhje me Shqipërinë dhe as nuk është detyrë e shtetit shqiptar që të merret me asgjësimin e tyre. 

Dogana e Kosovës sqaron nga ana e vetë se produkti koncentrat zinku i eksportuar ka përbërje të koncentruar të Zinkut (Zn), Hekurit (Fe), Plumbit (Pb) etj, dhe si i tillë nuk klasifikohet si mbetje. Deklarata thekson se ky koncentrat del nga miniera e Trepçës.

“Koncentratet e zinkut janë eksportuar në vazhdimësi dhe për dallim nga raportimi i mediave shqiptare dhe ndërkombëtare, nuk bëhet fjalë për mbetje (electric arc furnace dust siç i referohet Bloomberg), por për koncentrat zinku të nxjerrë nga Trepça”, thuhet nga Dogana.

Por sikur të mos mjaftonin gjithë këto deklarata që kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe tymnaja e ngritur, edhe disa media në Shqipëri po e bëjnë edhe më lëmsh situatën duke ngatërruar dy ngarkesat, Tajlandën dhe Kinën.

Porti i Durrësit dhe autoritetet atje janë përgjegjëse për sasinë e parë prej më shumë se 800 tonësh që raportohet se ka dalë nga kompania "Kurum", pasi dyshohet se kanë shkelur ligjin duke mos bërë kontrollet e nevojshme të ngarkesës. Po aq përgjegjës është dhe shteti shqiptar, i cili tashmë duhet të mendojë se çfarë do të bëjë me këto mbetje.

Kurse për ngarkesën e dytë, pavarësisht paqartësive dhe raportimeve të gabuara, Shqipëria nuk ka asnjë lidhje me të sepse ka vepruar si port tranzit për produktin e ndaluar në portin e Kinës.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese