Dogana e Kosovës ka reaguar në lidhje me lajmet e raportuara nga mediat në Shqipëri dhe ato ndërkombëtare, për një skandal të madh me kontrabandimin e mbetjeve të rrezikshme toksike. Dogana Shqiptare sqaroi dje se kontejnerët e nisur drejt Kinës kanë dalë nga Porti i Durrësit, por janë të Kosovës.
"Rasti i cituar nga media nuk është eksport nga Shqipëria por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova. Pra, produkti është koncentrat zinku me origjinë nga Kosova me firmë dërguese/eksportuese Apelbaum shpk me adresë Rr. Fehmi Agani, Prishtinë/Kosovë; Firma pritëse/importuese është ACHRO AG me bazë në Steinhausen Sëitzerland", thuhej në njoftim.
Mirëpo, pavarësisht se çfarë është deklaruar publikisht dhe në dokumentet zyrtare, duket se përmbajtja e kontejnerëve në fakt ka qenë me mbetje të rrezikshme, që janë nisur në Kinë dhe më pas për në Tajlandë.
“Dogana e Shqipërisë i ka referuar këto mallra si koncentrat zinku, të eksportuara nga një kompani e regjistruar në Kosovë drejt një kompanie zvicerane. Duke qenë se Dogana e Kosovës nuk ka qasje në ndonjë raport zyrtar është e vështirë të përcaktojmë saktësinë e rrjedhës së ngjarjeve, përderisa nga kërkimi në të dhënat tona të eksportit, kemi konstatuar se:
– Nuk ka eksport të mbeturinave të rrezikshme që i përgjigjen dërgesave të natyrës së atyre të raportuara në media.
– Janë identifikuar eksporte qe referohen në deklaratën për media nga Dogana e Shqipërisë, dhe produkti në fjalë, siç edhe është theksuar nga Dogana e Shqipërisë është koncentrat zinku dhe jo mbetje. Për këtë produkt pronari i subjektit eksportues ka ofruar test raportet nga kompania e mirënjohur e testimeve te industrisë SGS”, thotë Dogana e Kosovës.
Deklarata sqaron më tej se produkti koncentrat zinku i eksportuar ka përbërje të koncentruar të Zinkut (Zn), Hekurit (Fe), Plumbit (Pb) etj, dhe si i tillë nuk klasifikohet si mbetje. Dogana e Kosovës thekson se ky koncentrat del nga miniera e Trepçës.
“Koncentratet e zinkut janë eksportuar në vazhdimësi dhe për dallim nga raportimi i mediave shqiptare dhe ndërkombëtare, nuk bëhet fjalë për mbetje (electric arc furnace dust siç i referohet Bloomberg), por për koncentrat zinku të nxjerrë nga Trepça”, thuhet nga Dogana.
“Eksporte të ngjashme bëhen vazhdimisht nga industria e Republikës së Kosovës dhe nuk ka pasur ndonjëherë pretendime për klasifikim të këtyre produkteve si mbetje të rrezikshme”, vijon reagimi, duke shtuar se Dogana e Kosovës ka hapur një hetim të gjerë mbi këtë çështje dhe do të shqyrtojë të gjitha çështjet relevante me këto dërgesa dhe do të mbajë të njoftuar publikun.
© Newsbomb.al