Kanë përfunduar hetimet për administratorin e një kompanie me iniciale A.Th i cili operonte në fushën e trajnimeve dhe ndërmjetësimit për të mundësuar studime jashtë vendit. Ai akuzohet për veprën penale “mashtrimi”, ndaj pritet që të zhvillohet seanca gjyqësore ndaj administratorit të kompanisë.
Burimet bëjnë me dije se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, në sajë te hetimeve të ushtruara në një periudhë të gjatë kohore, ka provuar se administratori i sipërpërmendur ka mashtruar në mënyrë të përsëritur disa shtetas të huaj.
Hetimet kanë nxjerrë në pah se personat e prekur nga mashtrimi, kanë kryer pagesa për procedura aplikimi dhe programe mësimore për të studiuar jashtë vendit, për shërbimeve që pas lidhjes së kontratave nuk janë realizuar.
Sipas Prokurorisë, në disa raste shërbimet e ofruara janë marrë në mënyrë të pjesshme nga personat që lidhën kontrata me kompaninë. Mirëpo, ka pasur dhe raste që disa prej personave nuk e kanë marrë shërbimin e paguar.
Për rrjedhojë, për rastin konkret Prokuroria ka ngritur akuzën për veprën penale “mashtrimi” ndaj shtetasit me iniciale A.Th, i cili pritet të përballet me togat e zeza.
