Ditën e djeshme, deputetja Marjana Koçeku e njohur ndryshe si ‘‘Neomalsorja’’, njoftoi përmes një postimi në Facebook, se është larguar nga Partia Socialiste dhe tashmë do të jetë e pavarur.
Në lidhje me largimin nga PS të Koçekut, ka reaguar edhe aktivistja e Partisë Socialiste, Helena Kace, e cila është kosideruar nga kryeministri Edi Rama si ‘‘pasardhësja’’ e tij në krye të socialistëve.
Në një postim në Facebook, Kace nuk i ka ndalur kritikat ndaj Koçekut, teksa shkruan se është ‘’hipokrizi’’ dhe mosmirënjohje dhe se pavarësia e vërtetë nuk nis duke dorëzuar teserën e partisë e duke mbajtur karrigen.
Po ashtu aktivistja i ka kërkuar deputetes që të lërë edhe mandatin e saj.
‘’Nëse idealet e tua të reja nuk përkojnë më me atë shtëpi politike, hapi më parimor është t'ua kthesh mandatin atyre që të besuan’’, thekson Kace.
Postimi i Helena Kaces:
Ka një lloj hipokrizie dhe mosmirënjohjeje në politikë që vështirë të kapërcehet. Të futesh në parlament përmes listave të mbyllura, me votat dhe angazhimin e strukturave të një partie, e pastaj, të kujtohesh se "idealet dhe kufijtë moralë" të shtyjnë të dalësh e pavarur.
Pavarësia e vërtetë nuk nis duke dorëzuar teserën e partisë e duke mbajtur karrigen. Nis duke dorëzuar mandatin. Sepse ato vota që të sollën në parlament ishin të njerëzve që votuan një logo dhe një vizion politik.
Nëse idealet e tua të reja nuk përkojnë më me atë shtëpi politike, hapi më parimor është t'ua kthesh mandatin atyre që të besuan.
Suksese paç në rrugëtimin tënd të ri Marjana si e pavarur, po bëje siç duhet.
Dorëzo mandatin!
