Pasi deputetja Marjana Koçeku, njoftoi këtë të diel largimin nga Partia Socialiste, aktivistja Evi Kokalari i ka kërkuar që të lërë mandatin e deputetes së fituar nga Partia Socialiste.
Në një postim në Facebook, Kokalari shkruan se Koçeku duhe të lërë mandatin, pasi e ka marrë nga listat e mbyllura.
“Pra, dalja jote si indipendente, kur mban një mandat të marrë përmes PS-së, flet shumë qartë për ty vetë, dhe jo për çfarë bën Edi Rama. Korrupsionin e Edi Ramës dhe të Sali Berishës e kuptova unë brenda 9 muajsh, edhe pse kisha gati 30 vjet larguar, por ti nuk e dije?”, nënvizon aktivistja.
Ndërsa në fund, Kokalari i kërkon deputetes që të japë dorëheqjen.
Postimi i plotë:
Marjana Koçeku, e dashur...
Nëse ti del nga Partia Socialiste, nuk mund të dalësh si indipendente, sepse atë mandat nuk e ke fituar vetë. Të paktën lëre dinjitetin në vend dhe prano se hyre me listat e mbyllura. Kjo do të thotë se mandatin e more hua nga PS-ja dhe ai mandat i përket PS-së.
Nëse dëshiron të dalësh si indipendente, jep dorëheqjen si deputete dhe futu në garën e ardhshme si e tillë. Atëherë do të shohim se sa vota vlen lëkura jote në këtë pikë.
Që hyre me PS-në në Parlament mund ta justifikoja, por fakti që hyre me lista të mbyllura ngriti shumë pikëpyetje për mua. Ndryshe, personalisht do të të kisha mbushur mendjen të futeshe si kandidate për deputete me PD-në, sepse kisha besim se do ta fitoje vetë mandatin.
Tashmë, me gafat njëra pas tjetrës që po bën, thjesht po lë një shije të keqe dhe, fatkeqësisht, po dëmton dinjitetin tënd.
Pra, dalja jote si indipendente, kur mban një mandat të marrë përmes PS-së, flet shumë qartë për ty vetë, dhe jo për çfarë bën Edi Rama. Korrupsionin e Edi Ramës dhe të Sali Berishës e kuptova unë brenda 9 muajsh, edhe pse kisha gati 30 vjet larguar, por ti nuk e dije?
Jo, shpirt... nuk funksionon ashtu siç thua ti. Prandaj, jep dorëheqjen nëse nuk dëshiron të jesh pjesë e PS-së. Hi syve mos na hidh!
