Tashmë protesta e qytetarëve kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec dhe kërkesës për dorëheqjen e qeverisë, ka mbërritur në ditën e e saj të 14-të. Ndërkohë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka pranuar se ai nuk do t’u bashkohet protestave.
Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në “Facebook”, Berisha deklaroi se nuk do të jetë i pranishëm për sa kohë, sipas tij, prezenca e tij mund të dëmtojë “fibrën qytetare” të protestës.
“Prania ime aty do të dëmtonte fibrën më të fuqishme të protestës, fibrën qytetare”, deklaroi kreu i PD-së.
Berisha më tej tha se sloganet e ndryshme që dëgjohen në protestë nuk duhet të zbehin, sipas tij, qëllimin kryesor të lëvizjes.
“Ajo protestë është tej partive politike. Natyrshëm aty do ketë slogane që një palë do i pëlqejë dhe një palë tjetër jo, por nuk duhet të errësojnë misionin e madh të kësaj proteste”, u shpreh ai.
