Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Pëllumb Kulla i prekur nga fjalimi i Ramës: Shpjegove me nerv të admirueshëm "shitjen e copave të atdheut" dhe pranove gabimet! Meritë edhe për protestën, nuk e ke përgjakur Bulevardin

Shkruar nga Newsbomb
Pëllumb Kulla i prekur nga fjalimi i Ramës: Shpjegove me nerv të
Regjisori Pëllumb Kulla dhe kryeministri Edi Rama (arkive)

Regjisori Pëllumb Kulla shkruan se është prekur dhe e ka parë me admirim ngjarjen e 35 vjetorit të Partisë Socialiste, e cila u zhvillua paditen e së premtes në Sheshin Italia në Tiranë, pak metra larg vendit ku qytetarët protestonin prej 13 ditësh.

Shkruan Pëllumb Kulla

KRIZA, PËRPLASJE, HISTORI!

Popujt e këtij planeti kanë plot ngjarje madhore, kriza, përplasje, zgjidhje… Një individ i mëson këto ngjarje nga historia që ia shënon dhe ia sjell ashtu, të ndodhura shekuj e shekuj më parë.

Rrallë qëllon që ky individ, të ndodhet bash në mes të këtyre ngjarjeve dhe t’i përjetojë ato LIVE, (të përdorim një fjalë  të huaj të modës, në këtë Shqipërinë tonë të sotme!).

Mua më duket se kam qenë me fat që u ndodha mbrëmë në mes të një ngjarjeje të tillë. Ishte një mbrëmje që pati vërtet përmasa madhore, brënda një kilometri kuadrat të kryeqytetit të vendit tonë të bekuar!

Ishte një fjalim i një njeriu, të cilit ia kam dëgjuar edhe një herë tjetër ligjërimin 35 vjet më parë, po në atë vend fymëzues, përpara fasadës të stadiumit më të madh të Tiranës.

 Edi Rama, kryeministri i sotëm i vendit i mblodhi njerëzit më shumë për t’u shpjeguar se sa për t’ua përkujtuar përvjetorin e partisë.

Dhe foli…

Foli bukur, shpjegoi herë urtësisht dhe herë me ashk e nerv të admirueshëm. Kujtoi dhe rikujtoi me krenari, u rrëfye me përulësi dhe kërkoi ndjesë… Ishte një fjalim madhështor, prekës, shterrues, për të dyja turmat, të mbledhura tok në atë kilometrin që përmenda.

Unë u mrekullova, unë mora shumë shpjegime, për këto që po ndodhin këtu në këtë vend që e dua aq shumë. M’u bënë të kjarta kontratat, “shitjet e copave të atdheut," grupet brenda vendit dhe ndërkombëtarët e interesuar. Ishte një fjalim, që ka dhe do të ketë një veshje historike. Pamundësirat teknike dhe shpirtërore bënë që të  mos e dëgjonin fjalimin njëkohshëm ato dy grumbullimet, dy turmat e stërmëdha, njëra me qeleshe e tjetra pa to, që teksa shaheshin, valavitnin të njëjtin flamur.

Faleminderit Edi, për shpjegimet e kthjellta që i dhe krizës së këtyre ditëve, për pranimin e gabimeve që ke bërë e që t’i përmendim edhe ne, herë në shtyp dhe herë zëulur…

Falemnderit edhe për meritat që ke ti vetë në trembëdhjetë ditët e kësaj  proteste, le ta quajmë mbarëkombëtare, aq e bukur, aq rinore dhe e gëzueshme, protestë e rrallë, të cilën nuk e kanë kërcënuar vërshëllime plumbash, nga ata që ndodhnin vite më parë duke lënë njerëz të vdekur  apo të përgjakur përmbi pllakat e Bulevardit të Madh.

Zoti të bekoftë, o njeri!...

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese