Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur sot të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Orgest Birçajn, Dritan Agën dhe Orest Sotën, të arrestuar pak ditë më parë në kuadër të një megaoperacioni të SPAK-ut ndaj dy grupeve të dyshuara për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim parash.
Ndërkohë, për Edmond Jaupajn gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa Gëzim Islami është liruar kundrejt një garancie pasurore prej 100 mijë eurosh.
Pesë të dyshuarit janë paraqitur në seancën gjyqësore për verifikimin e masave të sigurisë, e cila ka nisur në orën 09:00 dhe është ndërprerë për rreth dy orë, pasi mbrojtja ka kërkuar kohë për t’u njohur me aktet hetimore.
Gjatë seancës, të pandehurit kanë kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tyre, duke pretenduar se nuk kanë përdorur aplikacionin e koduar “SKY ECC”.
Sipas materialeve hetimore Orest Sota dhe Orgest Birçaj akuzohen për “trafikim të narkotikëve”, “pastrim të produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, “grup të strukturuar kriminal”, si dhe “kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Dritan Aga akuzohet për “trafikim të narkotikëve”, “grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ndërsa Edmond Jaupi akuzohet për “pastrim të produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, kurse Gëzim Islami për “pastrim të produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, “grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

