Detaje të reja kanë dalë nga sherri që ndodhi paraditen e kësaj të hëne në ambientet e sallës së gjyqit në GJKKO, mes tre vëllezërve Bushgjokaj dhe Petrit Çakrrit, të akuzuar për vrasjen e Renis Dobrës.
Mësohet se Aleksandër, Kristi dhe Fatjon Bushgjokaj kanë dhunuar, brenda qelisë prej xhami, të akuzuarin tjetër, Petrit Çakrrin.
Fillimisht ishte Kristi Bushgjokaj ai që u ngrit në këmbë brenda kafazit të qelqtë dhe iu drejtua gjyqtarit me fjalët: “Me leje, gjyqtar?”. Menjëherë më pas, ai iu afrua Petrit Çakërrit dhe e goditi. Në sherr u përfshinë më pas edhe dy vëllezërit e tjerë.
Si pasojë e përplasjes së dhunshme, të dëmtuar mbetën edhe tre efektivë të togës së shoqërimit të Burgjeve, të cilët u dërguan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Dyshohet se vëllezërit Bushgjokaj e akuzojnë Çakrrin se ka spiunuar dhe ka shpifur ndaj tyre, duke hedhur poshtë akuzat që rëndojnë mbi ta.
Pas incidentit, në ambientet e institucionit mbërritën forcat e sigurisë së gjykatës, efektivët e Burgjeve, si dhe forcat “Shqiponja” të Policisë së Shtetit.

