Studiuesi dhe ish-zëvendësministri Taulant Muka ka publikuar një video nga protesta e djeshme përpara Kryeministri dhe në një moment, përpara se të nisë marshimi, dikush paralajmëron me megafon që qytetarët të marrin ujë me vete sepse rruga do të jetë e gjatë.
Ai thotë se marshimi ishte planifikuar të drejtohej drejt Prokurorisë së Posaçme, për t'i siguruar organit të akuzës mbështetje qytetare për ndjekjen penale ndaj kryeministrit dhe ministrave, por qëllimisht turma u orientua drejt Rinasit.
"Dëgjojeni me zë dhe figurë se kush i çoi të rinjtë në Rinas dhe jo në SPAK, aty ku ishte rënë dakord të shprehej mbështetja qytetare për nisjen e ndjekjes penale ndaj Kryeministrit dhe ministrave. Tashmë është e qartë se politika e vjetër vazhdon të veprojë me të njëjtat metoda, POR DËSHTOI! Sot dhe më shumë", shkruan Taulant Muka dhe ndan videon e mëposhtme.
Duke ju përgjigjur një komentuesi që e pyet për zërin e personit, studiuesi konfirmon se personi për të cilin ai aludon është Gent Progni. Bëhet fjalë për ekspertin e IT që ka denoncuar publikisht shumë nga aferat e AKSHIT, por ditët e fundit po akuzohet se drejton foninë dhe protestën qytetare.
Përplasja mes tij dhe Taulant Mukës për tubimin qytetar ka nisur prej ditësh dhe vijon akoma në rrjetin social Facebook, me akuza të ndërsjellta.
Ndërkohë, vetë eksperti Gent Progni thotë se nuk ka qenë ai personi që i ka orientuar protestuesit drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit mbrëmjen e djeshme, por persona të kamufluar si punonjës të Policisë së Shtetit.
