Dje u shënua dita e 15-të e së ashtuquajturës “Revolucioni Flamingo”, protestës të ngritur kundër ndërtimit të resorit në Zvërnec.
Ndërkohë që marshimi vijoi deri rreth orës 02:00 të mëngjesit, protestuesit e ndalën marshimin dhe u rikthyen në kryeqytet vetën pas bllokimit të kalimit të tyre nga ana e forcave të rendit, të cilat i ndaluan pak kilometra larg Aeroporit.
Policia paralajmëroi se nuk do të lejonte vijimin e protestës në rrugën e Rinasit dhe se do të ndërhynte për të liruar rrugën. Gjatë rreth tre orëve që mbeti i bllokuar fillimisht një krah i autostradës Tiranë-Durrës dhe më pas aksi rrugor drejt Rinasit, automjetet dhe mjetet e transportit u devijuan në rrugë alternative.
Marshimi drejt Rinasit nisi pas përfundimit të tubimit në Sheshin Skënderbej, te Kryeministria dhe në rrugët e qendrës së Tiranës. Protestuesit përshkuan disa kilometra nëpër kryeqytet, dolën në zonën e Kthesës së Kamzës dhe më pas vijuan marshimin përgjatë autostradës Tiranë-Durrës në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit.
