Ish-ministri i Financave Anastas Angjeli, gjatë një interviste televizive për A2CNN, ka deklaruar se goditjen më të madhe gjatë krizave ekonomike e merr shtresa e mesme. Sipas Angjelit, gjatë krizave të ardhurat e shtresës së mesme, nuk rriten me të njëjtin ritëm si të çmimeve.
Ndërsa më tej ai deklaron se kur bie fuqia blerëse, kufizohet edhe konsumi dhe ulen kursimet.
“Në periudha krize, goditjen më të madhe e merr shtresa e mesme, sepse të ardhurat e saj nuk rriten me të njëjtin ritëm me çmimet. Kur fuqia blerëse bie, familjet detyrohen të kufizojnë konsumin, të shtyjnë investimet dhe të ulin kursimet, duke u bërë më të ekspozuara ndaj çdo luhatjeje ekonomike”, u shpreh ai.
Po ashtu ish-ministri i Financave, thekson gjatë intervistës, se mbrojtja e kësaj shtrese kërkon politika që shkojnë përtej masave afatshkurtra.
“Duhet të krijohen kushte që njerëzit të rrisin të ardhurat përmes punës dhe jo vetëm të kompensohen për rritjen e çmimeve. Investimi në arsim, inovacion, sipërmarrje dhe vende pune me vlerë të shtuar është mënyra më e qëndrueshme për të forcuar shtresën e mesme”, deklaron Angjeli.
Ndërsa më tej ai thekson se rëndësia e kësaj shtese, nuk lidhet vetëm me mirëqenien e familjeve, por edhe me zhvillimin ekonomik, nxit konsumin, investimet dhe stabilitetin social të vendit.
“Në të gjitha ekonomitë e zhvilluara, shtresa e mesme konsiderohet shtylla kryesore e zhvillimit. Ajo gjeneron konsum, paguan taksa, investon në arsim dhe në biznes. Sa më e gjerë dhe më e qëndrueshme të jetë kjo shtresë, aq më e fortë bëhet ekonomia dhe aq më të vogla janë pabarazitë sociale”, theksoi Angjeli.
