Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar mëngjesin e kësaj të shtune një bisedë telefonike me homologen Vjosa Osmani, për aktet e fundit terroriste që kanë ndodhur në veri të Kosovës, të cilat kulmuan me shpërthimin me eksploziv të kanalit të Ibër Lepencit.
Begaj ka dënuar ashpër këto sulme terroriste që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës dhe cënojnë sigurinë kombëtare të saj.
"Zhvillova një bisedë telefonike me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ku dënova ashpër aktet terroriste me lëndë eksplozive mbi Kanalin e Ibër-Lepenic, që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës e cënojnë sigurinë kombëtare të Kosovës.
Mbështes fuqishëm të gjitha përpjekjet e Republikës së Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist", thuhet në njoftimin për shtyp që ka lëshuar zyra e Presidentit këtë mëngjes.
Ndërkohë, presidentja e Vjosa Osmani pas sulmeve terroriste në infrastrukturën jetike të Republikës së Kosovës, ka anuluar vizitën shtetërore në Brunei. Ajo kishte parashikuar të udhëtonte sot në mëngjes për në vendin e Azisë Juglindore.
"Në një bisedë telefonike të zhvilluar sot, Presidentja Osmani e ka njoftuar Madhërinë e Tij Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, me zhvillimet aktuale të sigurisë në vend dhe janë dakorduar që vizitën e paraparë ta realizojë në një të ardhme të afërt dhe në një kohë të përshtatshme për të dy palët.
Ky vendim u mor pas shqyrtimit të kujdesshëm të situatës në zhvillim të sigurisë dhe nevojës për t'u koordinuar me të gjitha institucionet në vend në mënyrë që të garantohet siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës", njofton Presidenca e Kosovës.
Strukturat kriminale serbe dhe terroristët me lidhje politike direkte në Beograd, kanë orkestruar mbrëmjen e djeshme një sulm që nuk ka asnjë dallim nga ajo që po bën Rusia në Ukrainë. Terroristët serbë kanë hedhur në erë me sasi të mëdha eksplozivi kanalin e Ibër Lepencit.
Dëmtimet në rrjet janë të mëdha, pasi nga kanali kryesor i Ibër Lepencit furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë si dhe KEK-u, për ftohjen e termoelektranave dhe prodhimin e energjisë elektrike.
© Newsbomb.al