Organizatat socialiste do të përfshihen nga sot në një proces zgjedhor për rifreskimin e çdo strukture në 12 qarqet e vendit. Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi ka njoftuar datat për çdo proces dhe ka lënë porosi të qartë për anëtarët e Asamblesë Kombëtare.
"Të gjithë anëtarët do të shpërndahen nëpër të gjitha organizatat socialiste, nga sot deri në 12 Qershor kur të kemi festën e 35 vjetorit të partisë. Do të ndjekim dhe raportojmë procesin zgjedhor në çdo organizatë", u shpreh ai.
Numri dy i Partisë Socialiste ka bërë të qartë se për rreth një muaj, strukturat do të njihen me situatën brenda çdo organizate socialiste dhe do të nisin menjëherë analizën për rritjen dhe fuqizimin e tyre.
"Zgjedhja e strukturave vendore të partisë do të zhvillohet gjatë periudhës nga 21 Marsi deri në 30 Qershor. Dhe kjo periudhë do të jetë e ndarë në disa segmente:
21 Mars - 16 Prill, njohja dhe analiza e çdo organizate;
16 Prill - 13 Maj, do të mbahen zgjedhjet në organizatat socialiste;
16 Maj -12 Qershor, do të mbahen zgjedhjet e kryetarëve të partisë në bashki;
Pas 12 Qershorit - 30 Qershor, do të bëhet konstituimi i organeve lokale", është shprehur Blendi Klosi në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila ka nisur me fjalën e tij në orën 10:00 dhe tani po vijon me dyer të mbyllura.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm la edhe një tjetër porosi konkrete për secilin anëtar të Asamblesë:
"Shtimi i anëtarësisë me minimalisht katër anëtarë të rinj, dy shoqe dhe dy shokë në çdo organizatë socialiste, me fokus padyshim te të rinjtë. Çdo anëtar i Asamblesë ka për detyrë të ketë një takim me 5 të rinj në çdo qendër në zonat rurale dhe mbi 10 në qendrat urbane."
© Newsbomb.al

