Kryeministri Edi Rama ka shkruar një mesazh të ndjerë për ndarjen nga jeta të regjizorit të shquar shqiptar, Dhimitër Anagnosti. Ai u nda nga jeta këtë 1 Shtator, në moshën 89 vjeçare, siç shkroi e bija, duke ju bindur ligjit të jetës.
Edi Rama e quan Anagnostin baba të kinemasë shqiptare dhe regjizor të filmit që mbeti kryetitull në historinë e filmit shqiptar, "Lulëkuqe mbi mure".
"[...] mjeshtri i shumërespektuar nga i madh e i vogël dhe vunjotësi kryeneç që mezi e priste verën për t’u arratisur nga qyteti e shkuar poshtë, tek shtëpia e fëmijërisë në Vlorë, e më vonë tek kasollja e tij buzë detit në Jalë, Barba Taqo siç e njoha unë kur isha fare i vogël e ai ende shumë i ri...", shkruan kryeministri.
Mesazhi i plotë i Edi Ramës për ikjen e Dhimitër Anagnostit:
"Babai i kinemasë shqiptare, autori i shumë skenarëve që shenjuan rrugën e kinematografisë sonë të re në një kohë tejet të vështirë për ëndrrat krijuese, regjizori i plot filmave të arrirë dhe i filmit kult “Lulëkuqe mbi mure” që ka mbetur sot e gjithë ditën si kryetitulli i ekranit të historisë së filmit shqiptar, mjeshtri i shumërespektuar nga i madh e i vogël dhe vunjotësi kryeneç që mezi e priste verën për t’u arratisur nga qyteti e shkuar poshtë, tek shtëpia e fëmijërisë në Vlorë, e më vonë tek kasollja e tij buzë detit në Jalë, Barba Taqo siç e njoha unë kur isha fare i vogël e ai ende shumë i ri apo Dhimitër Anagnosti, siç e njohin të gjithë dashamirët e filmit dhe tërë ata që e deshën a jo, ndërroi jetë pasi jetoi gjithnjë me kokën lart.Lamtumirë Barba Taqo, u prehsh në paqe Grand Master!"
Dhimitër Anagnosti ishte një nga mjeshtrit më të mëdhenj të kinematografisë shqiptare. Ai ka realizuar filma që kanë lënë gjurmë të paharruara në kujtesën e publikut, si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit” dhe shumë të tjerë. Përveçse një regjisor i njohur, ai ka qenë gjithashtu skenarist dhe autor librash.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në art, Anagnosti u nderua me titullin "Artist i Popullit" dhe u vlerësua me dhjetëra çmime. Në vitet ’90, ai u angazhua gjithashtu në politikë, duke shërbyer si deputet dhe më pas si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.


