Regjizori dhe një nga mjeshtrat e mëdhenj të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti ka ndërruar jetë sot më 1 Shtator, pas një sëmundje të rëndë që e mundonte prej vitesh. E bija, Juna ka ndarë lajmin e trishtë dhe thotë se Anagnosti thjesht ju bind ligjit të jetës.
“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetes sone! Pas nje lëngimi te gjate ju binde ligjit te jetes! Lamtumirë babush!”, ka shkruar ajo.
Dhimitër Anagnosti ishte një nga mjeshtrit më të mëdhenj të kinematografisë shqiptare. Ai ka realizuar filma që kanë lënë gjurmë të paharruara në kujtesën e publikut, si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit” dhe shumë të tjerë. Përveçse një regjisor i njohur, ai ka qenë gjithashtu skenarist dhe autor librash.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në art, Anagnosti u nderua me titullin "Artist i Popullit" dhe u vlerësua me dhjetëra çmime.
Në vitet ’90, ai u angazhua gjithashtu në politikë, duke shërbyer si deputet dhe më pas si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
