Arti shqiptar sot është në zi pas vdekjes së regjisorit të njohur, Dhimitër Anagnosti, i cili konsiderohet një nga regjisorët më të rëndësishëm të shekullit XX. Filmat e tij janë ndër të paktët që vazhdojnë të kenë interes nga ana artistike.
Anagnosti lindi në Vuno të Himarës më 23 janar 1936. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën e mesme në Vlorë. Nga 1954 deri në 1960, ndoqi Institutin Kinematografik "VGIK" në Moskë, ku u diplomua si kinooperator. Së bashku me Viktor Gjikën, realizoi punën e diplomës me filmin "Njeriu kurrë nuk vdes", një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave.
Në vitin 1961, Anagnosti filloi punë si operator në Kinostudion "Shqipëria e Re", me filmin "Debatik" (1961) dhe "Toka jonë" (1964). Ai gjithashtu xhiroi filmin e parë dokumentar me ngjyra, "Gurët dekorativë". Filmi i tij i parë si regjisor ishte "Komisari i dritës" (1966), i realizuar së bashku me Viktor Gjikën, dhe më pas, në vitin 1967, regji të vetme për "Dueli i heshtur".
Në karrierën e tij 40-vjeçare, Anagnosti realizoi 14 filma artistikë dhe 10 filma dokumentarë, duke fituar shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ishte gjithashtu autor i 15 skenarëve dhe shumë herë shkruante vetë skenarin e filmeve të tij. Anagnosti ishte njeri i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajë qytetare, e cila e ka vënë shpesh në shënjestër të mediokërve.
Për arritjet e tij artistike dhe kontributin e jashtëzakonshëm në kulturën shqiptare, Anagnosti u nderua me titullin “Artist i Popullit” në vitin 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjeti të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin u zgjodh edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Në 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen.
Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën "Fan Noli", duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë. Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme "Nata e trokitjeve në xham". Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit "Gjoleka, djali i Abazit", film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Veprat artistike:
Gjoleka, djali i Abazit (2006)
Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)
Përrallë nga e kaluara (1987)
Gurët e shtëpisë sime (1985)
Kujtime nga Gjirokastra (1983)
Vëllezër dhe shokë (1982)
Në shtëpinë tonë (1979)
Monumenti (1977)
Lulëkuqet mbi mure (1976)
Kur hiqen maskat (1975)
Cuca e maleve (1974)
Përjetësi (1974)
Motive nga dita e diel (1973)
Malet me blerim mbuluar (1971)
Parafabrikatet (1970)
Plagë të vjetra (1968)
Duel i heshtur (1967)
Komisari i dritës (1966)
Njeriu kurrë nuk vdes (1961)
