
Erion Veliaj është arrestuar mesditën e sotme në zyrën e tij në Bashkinë e Tiranës me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Për kryebashkiakun është dhënë nga GJKKO-ja masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa për bashkëshorten, Ajola Xoxe është dhënë masa “arrest shtëpie”.
Prokuroria e Posaçme ka dalë me një njoftim zyrtar duke treguar faktet penale që kanë implikuar kryebashkiakun, tanimë në akuzë për dy vepra penale si dhe bashkëshorten e vet. Gjithashtu masa sigurie “detyrim paraqitje” ka pasur edhe për biznesmenë të njohur në fushën e ndërtimit.
Newsbomb.al iu sjell faktet penale të evidentuara nga njoftimi zyrtar i Prokurorisë së Posaçme që kanë çuar në burg Erion Veliajn, ndërsa ka masa shtrënguese dhe për bashkëpunëtorët e vet.
· Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë – Dyshohet se kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka përfituar në mënyrë të parregullt fonde publike nëpërmjet skemave të lejeve të ndërtimit dhe organizatave të lidhura me të.
· Shpërdorim detyre – Erion Veliaj dyshohet se ka përdorur detyrën për të miratuar fondet publike dhe lejet e ndërtimit në favor të subjekteve të lidhura me të dhe familjen e tij.
· Pastrimi i produkteve të veprës penale (neni 287 i Kodit Penal) – Fonde publike të përfituara përmes korrupsionit janë pastruar nëpërmjet OJF-ve, shoqërive tregtare dhe individëve të afërt me familjen e kryetarit të Bashkisë.
· Fshehje pasurie dhe deklarim i rremë i pasurisë – Bashkëshortja e E.V., A.X., nuk ka deklaruar pasuri të paluajtshme dhe shpenzime të mëdha për blerje luksi, siç kërkohet nga ligji për deklarimin e pasurisë.
· Falsifikim i dokumenteve financiare dhe lëshim faturash fiktive – Dyshohet se janë përdorur fatura të rreme për të fshehur origjinën e paligjshme të fondeve të përfituara përmes skemës së korrupsionit.
· Mashtrim dhe shmangie fiskale – Kalimi i fondeve publike përmes OJF-ve dhe shoqërive tregtare dyshohet se ka ndodhur me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe maskimin e transaksioneve të paligjshme.
· Mosdeklarim i interesave në organizata jofitimprurëse dhe subjekte fitimprurëse – A.X. nuk ka deklaruar pjesëmarrjen e saj në borde organizatash, të cilat kanë përfituar fonde publike dhe kanë qarkulluar shuma të mëdha parash.