Prokuroria e Posaçme ka marrë nën hetim dhe deputeten e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka si e përfshirë në hetimet që po zhvillohen kundrejt kryebashkiakut Erion Veliaj, i arrestuar gjatë mesditës së sotme me urdhër të SPAK.
Klodilda Bushka akuzohet për konsumimin e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK ku pasqyroheshin të gjitha akuzat për Veliaj dhe persona të tjerë, deklarohet se ka të dhëna konkrete që Bushka ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, të cilat kanë interferuar në hetimet e SPAK.
“Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases K. B. Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal. Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim K. B. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Erion Veliaj u arrestua ditën e sotme me urdhër të SPAK. Agjentët e BKH-së kanë mbërritur mesditën e sotme në zyrat e Bashkisë Tiranë ku kanë ekzekutuar masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun. Gjithashtu SPAK ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe për Ajola Xoxën, por kjo masë nuk mund të ekzekutohet pasi bashkëshortja e Veliaj ndodhet që prej 8 shkurtit në shtetin italian.
Gjithashtu nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje” janë vendosur dhe 4 biznesmenë te tjerë si të përfshirë në hetimet që po zhvillohen kundrejt Veliaj; Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu, Shkëlqim Fusha dhe Meriman Palushi.