
Arrestimi i Erion Veliajt dhe masat e sigurisë të dhëna për bashkëpunëtorët e tij, padyshim ishin kryefjalë e çdo medie në vend. Gjykata e Posaçme vendosi masën “arrest shtëpiak” edhe për Ajola Xoxën, bashkëshorten e tij, por nuk u ekzekutua pasi nuk gjendej në shtëpi.
Prokuroria e Posaçme ka dalë me një njoftim zyrtar duke treguar rast pas rasti momentet kur dyshohet se Veliaj bashkë me bashkëshorten e tij janë në kushtet e kundërligjshmërisë duke konsumuar disa vepra penale.
E gjendur në këto kushte, SPAK ka ndërmarrë edhe masa të sigurimit pasuror për Ajola Xoxën. Referuar njoftimit të këtij institucioni të drejtësisë në vend, konkretisht është caktuar kjo masë për shumën prej 869 mijë euro që gjenden në dy institucione financiare për llogari të bashkëshortes së kryebashkiakut.
Gjithashtu, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 95 mijë euro pranë zyrave të subjektit “Harabel” që zotërohej po nga Xoxa, si dhe 15 mijë dollar dhe 6.6 milionë lekë të vjetër.
“Po kështu, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, me vendimin nr. 98 Akti /datë 10.02.2025 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit pasuror, në lidhje me llogaritë bankare të ndodhura në “Intesa Sanpaolo Bank” dhe “Banka Kombëtare Tregtare”, ne emër të shtetasës A. X. dhe shoqërive të lidhura me të, në shumën totale prej 869,149.78 Euro.
Nga ana tjetër, gjatë kontrollit të ushtruar pranë zyrave të “P. L.” shpk, administruar nga shtetësja A. X., e cila është njëkohësisht dhe pronare e vetme, janë gjetur në një kasafortë dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi të hollash, prej 95,350 Euro (shumica prej tyre prerje 500 euro), 14,900 USD dhe 665,000 Lekë”, thuhej në njoftimin e SPAK.