
Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një shkresë zyrtare Presidentit Bajram Begaj, përmes së cilës i kërkon që të shpallë zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Himarës. Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur por i pabetuar për shkak të dënimit me burg, humbi sot betejën në KQZ.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh sot, me praninë e vetë Fredi Belerit, dhe e njoftoi atë se duke qenë se prej më shumë se një viti e gjysmë nuk ka mundur të marrë leje për t'u betuar, ka humbur të drejtën për të qenë kryebashkiak.

Në këto kushte, kryeministri Edi Rama i ka dërguar shkresë zyrtare Presidentit të Republikës dhe i kërkon që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Himarës.
Shkresa mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm, Engjëll Agaçi dhe i drejtohet institucionit të Presidentit të Republikës, pas vendimit të shpallur këtë të premte, datë 5 Korrik, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për pavlefshmërinë e mandatit të Fredi Belerit.
Përpara se të kërkonte nga Presidenti i Republikës një datë për zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Himarës, Sekretari i Këshillit të Ministrave i ka kërkuar dhe është njoftuar zyrtarisht nga KQZ për mandatin e Fredi Belerit.
Bajram Begaj ka 48 orë kohë të caktojë një datë për zgjedhjet e reja, në përgjigje të kërkesës së Kryeministrisë.

Vetë Beleri ishte prezent në këtë seancë, ku iu komunikua edhe heqja e mandatit si kryebashkiak. Fredi Belerit i është hequr mandati për shkak të ligjit të dekriminalizimit, pasi ai është i dënuar me 2 vite burg për shitblerje votash.
Gjatë fjalës së tij kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi u shpreh se ligji për dekriminalizimin ka si qëllim që të ndalojë dhe të largojë të gjithë ata funksionarë publikë të mos kandidojnë, por dhe ata që e kanë marrë këtë funksion publik mos e ushtrojnë.
© Newsbomb.al