
Kryetari i Partisë së Lirisë është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Siç mësohet, Ilir Meta është arrestuar vetëm pak minuta më në hyrje të Tiranës, pranë një qendre tregtare, këtë të hënë datë 21 Tetor.
Ish-presidenti i vendit është akuzuar publikisht dhe ka qenë nën hetim nga SPAK për disa akuza, që lidhen me financime të paligjshme jashtë vendit, dosjen CEZ-DIA dhe të tjera çështje. Madje, Ilir Meta është paraqitur në SPAK përgjatë viteve më shumë se dy herë.
Masë sigurie "Detyrim paraqitje" është dhënë dhe për Monika Kryemadhin, ish-kryetare e LSI dhe ish-bashkëshortja e Ilir Metës.
Urdhër-arresti për kryetarin e Partisë së Lirisë dhe një ndër aktorët e rëndësishëm opozitarë të vendit, mban firmën e kryeprokurorit Altin Dumani dhe dy kolegëve të tij, prokurorëve të posaçëm Sotir Kllapi dhe Arben Kraja.
Edhe muaj më parë, është përfolur për prangosjen e kryetarit të Partisë së Lirisë me urdhër të SPAK, por atëkohë personazhe publike me influencë thanë se operacioni ishte pezulluar në moment të fundit. Menjëherë pas këtyre lajmeve, Ilir Meta nisi fushatë të fortë sulmesh direkt ndaj Altin Dumanit, duke e quajtur atë "Dum - Duman" dhe në shërbim të mazhorancës socialiste.
Ilir Meta kishte njoftuar mbajtjen e një konference publike nga selia e Partisë së Lirisë, në orën 13:40 të kësaj të hëne, datë 21 Tetor, por është arrestuar në mes të rrugës. Agjentët e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit e kanë prangosur atë në zonën e "Cassa Italia".
Ish-kryeministri Sali Berisha ka konfirmuar në një konferencë me gazetarët lajmin e bujshëm të arrestimit të Ilir Metës. Ai e ka cilësuar “arrestim politik”, prangosjen e Metës, madje sipas ish-kryeministrit, me urdhër të kryeministrit Edi Rama, kryetarin e Partisë së Lirisë përveçse politikisht kanë dashur ta eleminojnë edhe fizikisht.
“Po çdo gjë ndaj tij është politike persekutimi i Ilir Metës është politik, vetëm politik. Nuk kanë publikuar asnjë fakt asnjë dokument por, kanë zbatuar urdhrat e Edi Ramës i cili është përpjekur me të gjitha mënyrat për eliminimin politik e ndofta edhe fizik të Ilir Metës. Kjo është përgjigja ime”, tha Sali Berisha.