Hapësire reklamuese

Politikë

Dorëzohen në KQZ firmat e 32,128 qytetarëve për projektligjin për trajtimin shëndetësor të fëmijëve: Deri në 18 vjeç, shpenzimet t'i mbulojë shteti!

Shkruar nga Newsbomb
Dorëzohen në KQZ firmat e 32,128 qytetarëve për
Grupi nismëtar i nismës ligjore për garantimin e trajtimit shëndetësor të fëmijëve 0–18 vjeç

Grupi nismëtar i nismës ligjore për garantimin e trajtimit shëndetësor të fëmijëve 0–18 vjeç, brenda dhe jashtë vendit, me financim nga Buxheti i Shtetit, dorëzoi sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vullnetin e 32,128 qytetarëve, të cilët kanë nënshkruar në mbështetje të këtij projektligji.

Ky është rezultati i një angazhimi tremujor në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku mijëra qytetarë u bënë pjesë e kësaj nisme me besimin se asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet pa trajtimin e nevojshëm për shkak të pamundësive financiare.

Qëndresa Qytetare falenderon të gjithë qytetarët që na besuan firmën dhe vullnetin e tyre për të çuar përpara këtë kauzë.

Pas verifikimit të nënshkrimeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nisma do t’i kalojë për shqyrtim Kuvendit të Shqipërisë. Nga ky moment, vendimmarrja kalon në duart e deputetëve, të cilët kanë mundësinë të mbështesin një nismë që synon të garantojë më shumë siguri dhe mbështetje për familjet shqiptare.

Ky projektligj synon të lehtësojë barrën financiare të trajtimeve mjekësore për fëmijët, veçanërisht në rastet kur kurimi kërkohet jashtë vendit dhe kostot janë të papërballueshme për shumë familje.

"Nxisim Kuvendin e Shqipërisë dhe deputetët e tij që ta mbështesin këtë nismë, duke respektuar vullnetin e 32,128 qytetarëve dhe duke e kthyer atë në një garanci konkrete për shëndetin, jetën dhe të ardhmen e fëmijëve shqiptarë", shkruan Qëndresa Qytetare.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese