Deputeti Pirro Vengu ka reaguar për thirrjet e disa grupeve që flasin për “revolucion” në Shqipëri, duke i cilësuar ato si rrezik për destabilizimin. Ai ka theksuar se mbështet një Shqipëri të fortë dhe ka paralajmëruar se dashuria për kombin nuk duhet ngatërruar me tutorinë mbi shtetin amë.
Vengu ka renditur tre fakte që sipas tij përbëjnë bazën e faktorit shqiptar në rajon. Së pari, avantazhi më i madh strategjik i Shqipërisë në shekullin XXI është se është e rrethuar nga bashkëkombës, gjë që e bën praninë shqiptare kapital historik, njerëzor dhe gjeopolitik.
Së dyti, forcimi ekonomik, diplomatik dhe ndërkombëtar i Shqipërisë në dekadën e fundit po përkthehet në më shumë siguri dhe mundësi për shqiptarët në gjithë rajonin. Së treti, Shqipëria ka ushtruar rolin e saj si shtet amë pa komplekse, duke mbrojtur interesin kombëtar dhe shqiptarët kudo që jetojnë.
Vengu ka shtuar se destabilizimi i Tiranës nuk është akt patriotik, por luks që kombi shqiptar nuk mund ta lejojë.
"Krahas brohoritjeve për një Shqipëri të re, jam për një Shqipëri të fortë.
Duan apo nuk duan, u pëlqen apo nuk u pëlqen disave, tre janë faktet themelore të faktorit shqiptar në Evropën Juglindore.
Së pari, avantazhi më i madh strategjik i Shqipërisë në shekullin XXI është se është e rrethuar nga bashkëkombës. Në një epokë ku fuqia matet gjithnjë e më pak me territor dhe gjithnjë e më shumë me aftësinë për t’u organizuar, për t’u përshtatur dhe për të vepruar shpejt, prania shqiptare në rajon është kapitali ynë më i madh historik, njerëzor dhe gjeopolitik.
Së dyti, ndryshe nga shekulli i parë i shtet-ndërtimit, në dekadën e fundit forcimi ekonomik, diplomatik dhe ndërkombëtar i Shqipërisë po përkthehet drejtpërdrejt në më shumë siguri, më shumë peshë dhe më shumë mundësi për shqiptarët në gjithë rajonin. Nuk është më vetëm Shqipëria që mbahet nga kombi. Është edhe kombi që forcohet nga një Shqipëri më e fortë, më e besueshme dhe më pranë Bashkimit Evropian.
Së treti, Shqipëria e ka ushtruar rolin e saj si shtet amë pa komplekse: herë në vijën e parë, herë në diplomacinë e heshtur, por gjithmonë në mbrojtje të interesit kombëtar dhe të shqiptarëve kudo ku jetojnë.
Prandaj, kush mendon se i shërben kombit duke brohoritur “revolucion” në Tiranë, nuk po kupton përmasat e kohës. Tirana nuk është thjesht kryeqyteti i Shqipërisë. Është qendra politike, ekonomike dhe diplomatike e gravitetit të shqiptarëve në Evropën Juglindore. Ta destabilizosh atë nuk është akt patriotik. Është një luks që kombi shqiptar nuk mund t’ia lejojë vetes.
P.S. Një këshillë miqësore për revolucionarët me GPS që zbresin vetëm në Tiranë.
Mos e ngatërroni dashurinë për kombin me tutorinë mbi Shqipërinë. Qeverinë tonë dimë ta kritikojmë edhe vetë. Por shtetin amë nuk ua lëmë askujt ta dobësojë në emër të patriotizmit.
Sepse shqiptarët kanë dy shtete, janë komb shtetformues në Maqedoninë e Veriut dhe minoritet europianizues në Mal të Zi dhe në Serbi. Por kanë vetëm një qendër graviteti strategjik. Dhe ajo është një Shqipëri e fortë.
“Shqipëria e re” mund të tingëllojë bukur si brohoritje. Shqipëria e fortë, është shumë më e vështirë si detyrë. Unë zgjedh detyrën", thotë Vengu.
